“Ligji i medias që u miratua në parlament ka 100% mbështetjen e ekipit të OSBE-së”, deklaroi sot nga Vjena, kryeministri Edi Rama.

Në një konferencë e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, në përfundim të seancës së Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Rama iu përgjigj interesimit të medias.

I pyetur mbi gazetari i agjencisë spanjolle të lajmeve “EFE” mbi diskutimet që shoqëruan miratimin e ligjit të medies, Rama tha se “informacioni juaj nuk është i përditësuar, sepse OSBE nuk e ka kritikuar ligjin”.

“Në të kundërt, ne kemi punuar me ekipin e OSBE-së, për një kohë të gjatë që të sigurohemi që të sqarojmë paqartësitë e vogla. Ju po i referoheni një kritike që ishte bërë gjatë diskutimit të ligjit”, tha Rama.

Ai shtoi se “ligji që shkoi në parlament ka 100% mbështetjen e ekipit të OSBE-së”. “Është një pjesë legjislacion në përputhje absolute me standardet e OSBE-së, që të gjejmë zgjidhje për ato që ne po përjetojmë, për mediet online jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën”.

“Pjesë e prioriteteve tona është që ne të trajtojmë gjuhën e urrejtjes dhe urrejtjen në përgjithësi si një karburant që nxit dhe shpërndahet me mediat online në mënyra të ndryshme, si një lëndë djegëse. OSBE është në harmoni të plotë me në për këtë gjë”, tha Rama.