Me uljen e temperaturave disa gradë nën zero, është shtuar numri i personave të prekur nga gripi. Në qendrën shëndetësore nr.8 në Tiranë, çdo ditë pranë mjekut paraqiten të paktën 30 pacientë. Sipas doktoreshës Dhurata Shametaj situata është normale dhe nuk ka vend për panik. Shametaj thotë se simptomat kryesore që shfaqen janë temperaturë dhe kollë.

“Dhe këto ditë kemi pasur një numër pak më të shtuar të vizitave të vizitave, të cilat na janë shfaqur me këto simptoma. Simptomat që shoqërojnë këtë situatë janë temperaturat e lartë, deri në vlerat e 39 e sipër, rrufa fillon dhe kolla e thatë ose me sekrecione, mungesa e oreksit, debulesa. Është një situatë normale për stinën nuk është ndonjë gjë për tu alarmuar e rëndësishme është të kemi një komunikim të mirë me pacientët në mënyrë që të përballojmë situatën”, tha doktoresha Dhurata Shametaj.

Doktoresha shprehet se moshat më të predispozuara nga kjo gjendje gripale janë fëmijët për “shqiptarja.com”.

“Bëjnë përjashtim për mendimin tim situatat që shoqërohen me temperaturë të lartë të vazhdueshme, sidomos të fëmijëve. Duhet pasur shumë kujdes me fëmijët deri në 1 vjeç, dhe mosha e çerdheve dhe kopshteve, janë më të predispozuarit ndaj situatës gripale”, thotë doktoresha.

Në këtë situatë është e këshillueshme që prindërit të mos neglizhojnë, të mos i mbajnë fëmijët në ambiente të mbyllura me shumë njerëz si dhe ti ushqejnë herë pas here.