Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thekson se situata e rendit dhe sigurisë në Shqipëri është më e mira e viteve të fundit, duke theksuar se “të gjithë indikatorët kryesorë të krimit dhe sigurisë publike në vend janë pothuajse 100% më të ulët se sa çfarë ishin përpara dhjetë viteve”. Gjatë interpelancë së kërkuar në seancën e sotme plenare nga deputeti Artur Roshi për dëbimin e mësuesit që dyshohet se ishte i lidhur me lëvizjen Gylen si dhe për situatën e sigurisë në vend, ministri Lleshaj tha se “nëse do ti bëni thirrje kujtesës dhe do gërmonit në arkivat, situata e rendit dhe sigurisë në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë rrënjësore dhe konstante në të gjithë harkun e viteve ku ne jemi përgjegjës”.
“Ju them me përgjegjësi të plotë se të gjithë indikatorët kryesorë të krimit dhe sigurisë publike në vend janë pothuajse 100% më e ulët se sa çfarë ishin përpara dhjetë viteve apo para pesë e gjashtë viteve. Kjo do të thotë se situata e rendit është përmirësuar në mënyrë shumë të ndjeshme”,- tha Lleshaj. Ai argumentoi qëndrimin e tij edhe me shifra. “Përpara 7 viteve kishim 120 apo 130 vrasje në vit, sot kemi 50 vrasje në vit. Nëse trafiku i narkotikëve sot jemi në shifrat më minimale historike. Situata e rendit dhe sigurisë në Shqipëri në ditët më të mira historike, por larg së qenit ajo që duhet për ne. Situata nuk është ajo që duam, por është më e mira e viteve të fundit”,-theksoi ministri Lleshaj.
Sa i përket rastit të shtetasit turk, ministri tha se “dëbimi i të huajve që nuk disponojnë dokumente të rregullta është praktikë e rëndomtë e përditshme, nuk merret vendimi nga ministri, pasi ministri merret me drejtimin politik, dëbimi është vendim administrativ. Përgjegjës janë drejtoritë vendore të kufirit dhe emigracionit, çdo vit dëbohen mijëra qytetarë të huaj që janë të parregullt. Ka dy rrugë, ose largim vullnetar ose detyrim”. “Harun Çelik është ndaluar në 8 korrik në dalje të kufirit me pasaporte turke ku kishte një vizë kanadeze e falsifikuar. Qytetari turk nuk ka qenë rezident në Shqipëri asnjëherë. I gjetur në kushtet e shkeljes së ligjit është dënuar nga Gjykata e Tiranës dhe është deklaruar fajtor, për veprën penale “falsifikimin e letërnjoftim, pasaportave” dhe është dënuar me 13 muaj burgim. Më pas, i është bërë ulja e dënimit me 1/3 me 8 muaj e 20 burgim. Harun Çelik ka përfunduar dënimin më 01.01 2020″, deklaroi ministri.