Ndërsa koronavirusi vazhdon të përhapet, shumica e mediave janë fokusuar në numrin e rasteve të reja që shfaqen me virus nëpër botë apo në numrin e atyre që kanë humbur jetën nga virusi. Por nga ana tjetër, shumë persona kanë arritur që të shërohen nga koronavirusi. Sipas gjurmimeve nga Universiteti Johns Hopkins, numri i njerëzve që shërohen nga virusi po rritet, megjithëse ekziston një hendek i madh në krahasim me ata që preken.
Deri më 11 shkurt, të paktën 4.200 njerëz janë shëruar, shumica e tyre në Kinë. Gjithashtu edhe pacientët në vendet e tjera kanë arritur që t’i shpëtojnë virusit, 10 të tillë në Tajlandë, 7 në Singapor. Tre pacientë gjithashtu janë përmirësuar në Shtetet e Bashkuara, Malajzi dhe Korenë e Jugut. Edhe pse statistikat janë premtuese, ka akoma më shumë se 43,000 raste të konfirmuara të koronavirusit në të gjithë botën.
Por ndërkohë nuk është sqaruar deri më tani nga specialistët e mjekësisë sesi kanë arritur që të shërohen këta pacientë. Nga ana tjetër, mediat e huaja janë shfaqur dyshuese nëse këta pacient janë përmirësuar, dhe virusi vijon të gjendet në trupin e tyre, apo janë shëruar plotësisht. Doktoresha Margot Savoy, në Universitetin Temple, thotë për “Thailand Medical News”: “Me çdo infeksion të ri, kur nuk e dimë sesa kohë i duhet virusit që të lërë sistemin tonë plotësisht, nuk mund ta dimë nëse jemi të shëruar përfundimisht”.
Ndërkohë mjekët në Britani kanë hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Komisioni Shëndetësor i Kinës se, pacientët që shërohen mund ta marrin sërish virusin. Sipas mjekëve britanikë deri më tani nuk ka asnjë provë që pacientët e shëruar mund të infektohen sërish prej tij. Shkencëtarët kanë arritur që të zbulojnë një vaksinë, e cila duhet të kalojë disa kohë testimi para se të provohet tek njerëzit. Por kjo nuk do të thotë se vaksina do ishte e gatshme për përdorim në masë. Për të marrë një trajtim efektiv nga terreni, ekziston një afat kohor i pacaktuar. Mund të duhet një vit para se vaksina të dalë në treg. Por shkencëtarët mbajnë shpresa se vaksina do të prodhohet shumë shpejt, dhe situata do të vihet nën kontroll./ Tiranapost.al