Në Shqipëri do të ketë 24 zona të zhvillimit për rindërtim. Ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj në një intervistë për “ABC News” shpjegon se në fund të shkurtit do të jenë gati tre masterplane për nisjen e punimeve në terren ndërsa kanë nisur shpronësimet.

Ndër të tjera ministri për rindërtim deklaron se do të ketë një prokurim ndërkombëtar për ndërtimin e banesave individuale.
Vëmendja tashmë është fokusuar në konferencën e donatorëve. Ministri Ahmetaj deklaron se nga të dhënat paraprake mësohet se donacionet do të jenë të konsiderueshme.

“Në eksperiencën e kaluar në konferencat e kësaj natyre, donatorët vijnë mbrapsh me një mbështetje që lëviz diku te 25 – 35 % e dëmit, me kombinime mes granteve dhe kredive shumë të buta. Unë besoj që ne do ta kapërcejmë këtë nivel të kombinimit mes granteve dhe kredive. Është bërë shumë punë”.

Ndërsa përsa i përket uljes së pritshmërive për rritjen ekonomike Ahmetaj shprehet se faza e rindërtimit do të ketë impakt pozitiv.

“Është momenti për të përdorur të gjithë atë vështirësi për të kaluar në një pozitivistet ekonomik. Jo vetëm procesi i rindërtimit që do jetë shumë i rëndësishëm, por të gjitha reformat dhe thjeshtëzimet e të bërit biznes do ta ndihmojnë rritjen ekonomike”.

Aktualisht të gjithë familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit po aplikojnë pranë njësive bashkiake. Ministri për rindërtim deklaron se deri më tani kanë aplikuar mbi 7 mijë qytetarë