David McAllister, kreu i Komisionit të Jashtëm të PE, i pyetur nga Ernest Bunguri, korrespondent i Euronews Albania në Bruksel lidhur me pritshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas metodologjisë së re për negociatat me BE, u shpreh se ajo i rrit shanset për anëtarësim për ato vende që punojnë fort dhe shënojnë progres. Ernest Bunguri – Metodologjia e re ka tri pika të rëndësishme, t’i marrim me radhë. Fillimisht më shumë besueshmëri, a do të thotë kjo që komisioneri Hahn nuk ishte i besueshëm dhe Komisioni i ri do të jetë, kur dimë se një pakicë vendesh kishin vlerësim të ndryshëm nga Komisioni para tetorit?
David McAllister – Pikë së pari më lini të lavdëroj punën e shkëlqyer të komisionerit Hahn. Ai nuk është vetëm një mik politik i imi, por edhe një mik personal këto pesë vitet e fundit në punën me politikën e zgjerimit. Por pse jemi këtu sot? Pas një Këshilli Evropian zhgënjyes, ku disa vende anëtare, përfshirë Francën, vunë veton për çeljen e negociatave të zgjerimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ishte e qartë se na duhej të merreshim me disa aspekte të francezëve, dhe kjo metodologji zgjerimi e rishikuar përbën një hap madhor përpara për të sjellë Francën dhe vendet e tjera në tryezën e vendimit, me shpresën se tani është hapur shtegu për të nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë këtë vit. Ernest Bunguri – Kjo është e sigurt, pasi tashmë ai shteg është bërë edhe më i vështirë për vendet aspirante me grupimin e kapitujve që do të mbahen peng nga njëri-tjetri përpara se të mund të hapen.
David McAllister – Jo, unë nuk besoj se procesi është më i vështirë. Ne si Bashkim Evropian e kemi thënë gjithnjë, që të bëhesh vend anëtar është sigurisht punë e rëndë, një proces i bazuar në merita dhe ata që bëjnë më shumë, marrin më shumë e ata që bëjnë më pak, marrin më pak. Kështu që unë besoj se kjo metodologji me grupe mund, në fakt, ta shpejtojë procesin e anëtarësimit për ato vende të cilat punojnë dhe përpiqen vërtet fort.
Ernest Bunguri – Franca i kërkoi ndryshimet nisur nga mosdhënia e rezultateve nga Serbia dhe Mali i Zi, që janë në proces negociatash. Atëherë pse duhet të paguajë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut kur metodologjia nuk është detyruese për të tjerët? David McAllister – Epo qasja është që nuk duhen ndryshuar rregullat, që nuk duhen ndryshuar postet dhe pozicionimet kur loja ka nisur. Ne kemi këto rregulla të reja, të cilat janë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia dhe Mali i Zi mund të zgjedhin nëse duan apo jo t’i përdorin këto rregulla, të cilat janë kryesisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tashmë. Unë mendoj se të dyja vendet duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë që po ju japim dhe tani e dinë se çfarë i pret.