Holanda do të japë 3 milionë euro për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet ditën e hënë në Bruksel. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok, i cili përmes një video mesazhi në Twitter thotë se qëndron pranë Shqipërisë në përpjekjet e rindërtimit.

“Qëndrojmë pranë Shqipërisë pas pasojave të tërmetit, do të dhurojë 3 milion € për përpjekjet e rindërtimit. Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë vitin e kaluar na tronditi të gjithëve. Kam parë pamje të dëmeve, kryeministri Edi Rama dhe kolegu im Gent Cakaj më kanë treguar histori që të thyenin zemrën për qytetarët shqiptarë që ranë viktimë e kësaj fatkeqësie. Bashkë për Shqipërinë” tha Blok.

Fatura e dëmeve nga tërmetit llogaritet 980 milionë euro, teksa rindërtimi kërkon rreth 1.08 mld euro. Konferenca në Bruksel do të organizohet nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se është optimist se ndihma nuk do të jetë simbolike.