Bletaria do të mbështetet me fonde nga Skema Kombëtare edhe për vitin 2020. Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, teksa ndodhej në Korçë në fermën më të madhe të vendit dhe rajonit për prodhimin e mjaltit, “Morava”. “Edhe sivjet ne do subvencionojmë nga Skema Kombëtare sektorin e bletarisë, si një nga sektorët më të rëndësishëm, jo vetëm për faktin se mjalti është një produkt kaq i domosdoshëm për njeriun, por bleta shkencërisht është nga qëniet më të rëndësishme rruzullin tokësor”, tha ministri Çuçi.

Një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën. Ministri Çuçi tha se kjo është një mundësi e madhe për bletërritësit tanë, që duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me rritjen e prodhimit vendas. “Ne kemi nënshkruar marrëveshjen me qeverinë e Kinës për të hapur eksportin e mjaltit drejt këtij vendi. Pasaporta jonë ka qenë “Morava” në këtë drejtim. Presim vetëm një çertifikim të fundit nga autoriteti përgjegjës donagor i qeverisë së Kinës për të filluar direkt me eksportin e mjaltit shqiptar. Kjo do të hapte mundësi akoma më të mëdha për ta zgjeruar prodhimin e mjaltit në vend”, tha ministri Çuçi.

Në VKM-në e miratuar së fundi në qeveri për fondet e Skemës Kombëtare, parashikohet subvencionimi me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere. Ulja e këtij numri nga 100 në 50 koshere është bërë që vitin e kaluar, me qëllim për t’i dhënë një tjetër nxitje zhvillimit të këtij aktiviteti. Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës dhe klimës që ka vendi ynë.