E ardhmja e Maurizio Sarrit është në dilemë.

Andrea Agnelli, Fabio Paratici dhe Maurizio Sarri u takuan në restorantin “Il Bastimento”, në zemër të Torinos për të biseduar për situatën e dobët që po kalon Juventusi ndeshjet e fundit.

Sipas asaj që raporton “La Stampa”, Agnelli i ka bërë me dije Sarrit se nuk do të lejojë gabime në dy ndeshjet e radhës, ndaj Milanit në Kupën e Italisë dhe ndaj Lyonit në Ligën e Kampionëve.

Presidenti dhe drejtori sportiv i kanë dhënë besimin Sarrit, por kanë kërkuar nga ai që të rifitojë besimin e lojtarëve dhe skuadra të rikthehet te fitoret që në ndeshjen e radhës.

Statistika e klubit nga Torino janë dukshëm më të dobëta sesa në kohën që skuadra menaxhohej nga Massimiliano Allegri.

35 herë kampionët italianë kanë nëntë pikë më pak se mesatarja e pikëve që kishin nën urdhrat e Allegrit.

Kur këtyre fakteve ia shtojmë zërat se Guardiola shumë lehtë mund të bëhet trajner i Juventusit, stoli i Sarrit dridhet dyfish më shumë dhe gjasat për largimin e tij janë shumë më të mëdha.

Të enjten, Juventusi do të udhëtojë për në Milano për ta zhvilluar ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Rossonerëve, dhe dështimi eventual në këtë ndeshje do të ishte i pariparueshëm për 61-vjeçarin.