Reforma në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nismat e fundit ligjore si antiKÇK, rëndësia e dialogut mbi reformën zgjedhore si dhe ecuria e procesit të integrimit ishin në qendër të takimit që kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot me Raporteren e Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputeten Isabelle Santos. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin si dhe zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali shprehet se ishte një “takim tejet konstruktiv mes eurodeputetes Isabel Santos, raportueses për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe kryeministrit Rama”.
“Shprehëm falënderimet tona më të ngrohta për solidaritetin, besimin dhe mbështetjen financiare të jashtëzakonshme nga komuniteti evropian në Konferencën e Donatorëve”, tha Spiropali. “Diskutuam mbi rezultatet konkrete që kemi arritur në përmbushjen e prioriteteve kyçe: Reforma në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nismat e fundit ligjore si anti KÇK, e duke vijuar me rëndësinë e dialogut mbi Reformën Zgjedhore si dhe përgjegjësinë e lartë që ka qeveria për të qëndruar në lartësinë e sfidës së procesit të integrimit”, tha Spiropali.