Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Mynihu ka folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duke thënë se është mirë të bëhet shpejtë, por të jetë e përgatitur mirë dhe me parime.Kurti theksoi se është për një dialog me parime dhe në konsultim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Unë nuk jam kundër dialogut, por jam për dialog të përgatitur mirë dhe me parime. Jam konstruktiv me një dialog që na shpie në marrëveshje dhe që është mjaftueshëm që të mos sabotohet as nga brenda as nga jashtë.Tani ne kemi legjitimitetin e freskët, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Serbinë. Ata i kanë në fund të prillit zgjedhjet, mbase kur ata t’i përfundojnë zgjedhjet dhe t’i përfundojmë këto marrëveshjet e deritanishme. Pastaj, të bisedojmë edhe me Brukselin, Berlinin, Parisin dhe me Washingtonin për një kornizë që na e bën dialogun konstruktiv dhe marrëveshjen e drejtë”, tha Kurti.
Më tej Kurti u shpreh se ata do ta heqin taksën me Serbinë, por do të vendosin reciprocitetin në parim.
“Marrëveshja sa më shpejt është aq më mirë, por përmbajtja është prioritet mbi gjithçka tjetër. Reciprociteti është parim normal i marrëdhënieve bilaterale. Ne do ta heqim taksën, por se ta vendosim parimin e reciprocitetit. Qytetarët më 6 tetor na kanë votuar për këtë gjë. Në program e kemi kur u votuam më 3 shkurt si kabinet qeverisës, do ta zbatojmë me planin e punës së qeverisë”, shtoi më tej kryeminitri i Kosovës.Kurti mund të mos pajtohet për shumë çështje me presidentin, por ai mendon ngjashëm sa i përket inciativës së Mini-Schengenit.
“Mendoj se është mirë që sa më parë Mini-Schengeni të inkorporohet në procesin e Berlinit. Ky është një proces që merret me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të mos kemi diku katër shtete e diku gjashtë, por siç e ka projektuar kancelarja Merkel. Unë nuk kam asgjë të keqe dhe dua që Kosova dhe Shqipëria të integrohen dhe bashkohen sa më shumë, të bashkëpunojnë në secilin fushë. Dallimet janë të tejkalueshme dhe takimi me kryeministrin Edi Rama është ndër takimet më të mira të dy-tre viteve të fundit me të”, ka përfunduar ai.