Rovena Voda, zv.ministrja e Brendshme, e ftuar në studion e “Ditari” në A2, deklaroi se paketa anti KÇK është një “akt normativ që rregullon në mënyrë të detajuar të gjithë procesin e luftës kundër krimit të organizuar”. “Ka pasur debat të madh nëse bie ndesh me Kushtetutën, por që në fillim të aktit janë sanksionuar parimet e tij dhe një ndër parimet e para është respektimi i të drejtave të njeriut. Më pas, ruajtja e sekretit, por edhe vendosja e masave me karakter personal apo pasuror”, deklaroi Voda. Sipas saj, “forca e posaçme Operacioni Forca e Ligjit (OFL) brenda pak orëve do të bëjë goditjen e parë”. “Sot nis puna. Ka pasur intensifikim të luftës kundër krimit të organizuar, por pavarësisht sekuestrimeve të shumta, jemi ndodhur para faktit që gjykatat kanë rrëzuar masën e sekuestrimit dhe kemi pasur raste skandaloze vendime gjykatash që kanë liruar ish-anëtarë të bandave kriminale.

Policia nuk ka pasur të drejtë të përgjojë dikë apo të ketë akses në interceptimet telefonike. Tani, duke pasur informacion të plotë për personat e dyshuar se kanë lidhje me krimin, duke bërë një dosje të plotë që do të vërë në pozitë të vështirë prokurorinë dhe gjykatën, mendojmë se lufta kundër krimit të organizuar do të jetë më efikase”, shpjegon zv/ministrja. “Janë masa për një periudhë kohe të shkurtër që do të duhet t’i nënshtrohen verifikimit të prokurorisë dhe gjykatës. Të dhënat që mbledh policia në rastet e emergjencës, drejtori i Policisë së Shtetit depoziton kërkesën për të formalizuar kërkesën për sekuestrim dhe prokurori ndërmerr hapat për ta dërguar kërkesën në gjykatë”, shtoi Voda.