Luan Dalipi, këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, raporton Express.
Përmes një postimi në Faceboo, Dalipi ka thënë se arsye për këtë është deklarata e Haradinajt se “Dalipi është një njeri i akuzuar për korrupsion, madje ai ka tri shtëpi në lagjen Marigona, dhe se dy prej tyre janë të Kurtit”.
“Ramushi ka shpif dy herë ndaj meje. Shpifja e parë është se unë jam i akuzuar dhe gjykuar nga BE-ja. Kjo është gënjeshtër. Sa për informim, aktakuza që po i referohet Ramushi nuk ka qenë për korrupsion si dhe është rrëzuar para hyrjes në shqyrtim gjyqësor, rrjedhimisht nuk është konfirmuar aktakuza. Kjo aktakuzë ishte ngritur përkundër konstatimit paraprak zyrtar të agjencisë relevante të Komisionit Evropian se nuk është gjetur asnjë dëshmi për parregullsi për çështjen”, shkruan Dalipi në Facebook.
“Shpifja e dytë është se unë jam pronar i tri shtëpive në lagjen Marigona, edhe kjo është gënjeshtër. E kam vetëm një shtëpi. Pasuria ime eshte e deklaruar në organet kompetente. Mburrem me arritjet e mija në sektorin privat (mbi 20 vite punë në Kosovë dhe SHBA), ku të gjitha të hyrat janë të audituara nga shteti dhe kompanitë e auditimit. Mua nuk më vjen marre nga pasuria, sepse e kam fitu me punë, mendje dhe trashëgimi. Veç e kam njoftuar Ramushin që do ta padisë për këto shpifje”, ka shkuar ai.