COVID-19/ Manastirliu: Nuk duhet lëshuar asnjë centimetër nga vija mbrojtëse, masat po japin efekt
“Masat dragoniane të ndërmarra nga qeveria po japin efekt që kurba e të prekurve nga COVID-19 të jetë më e lehtë, por në këtë moment nuk duhet lëshuar asnjë centimetër nga vija mbrojtëse në përballjen me COVID-19”. Në një lidhje direkte me ABC Neës, Ministrja Manastirliu theksoi se dy javët në vijim do të jenë përcaktuese për efektin e masave të ndërmarra.
“Situata është dinamike ndaj jemi duke vepruar hap pas hapi. Qeveria shqiptare veproi me guxim duke marrë masa me të vërtetë drastike, që ndikuan në këtë kurbë më të lehtë në krahasim me vendet e tjera. Por mbetet për t’u parë në dy javët në vijim se si do të jetë kurba e të prekurve në vendin tonë. Dy javët e ardhshme do të jenë prova e zjarrit”, tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me mjetet e mbrojtjes personale për stafin mjekësor, Manastirliu ka deklaruar se personeli shëndetësor në përballje me COVID-19 është i pajisur me mjetet mbrojtëse personale.
“Personeli shëndetësor është i pajisur me maska, doreza, helmeta, veshje speciale dhe të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. 15 ton me mjete të mbrojtjes personale janë blerë vetëm gjatë ditëve të fundit nga qeveria shqiptare. Eshtë e vërtetë që shumë vende po hasin vështirësi për shkak të bllokimit të eksportit.
Ne nuk kemi problematikë sa i takon pajisjes me mjete mbrojtese personale, sepse kemi siguruar kanalin e hapur të komunikimit me Turqinë”, tha Manastriliu.
Ministrja e Shëndetësisë shprehu edhe njëherë falenderimin për mjekët që po përballen në vijën e parë me COVID-19. Ajo tha se ata janë forca jonë dhe se janë në krye të detyrës dhe po bëjnë maksimumin e tyre. Manastirliu vlerësoi edhe punën e epidemiologëve për gjurmimin dhe izolimin e rasteve të të prekurve nga COVID-19 dhe të gjithë personelin shëndetësor në vijën e parë të përballjes me COVID-19.