Britania e Madhe prezantoi mandatin për bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të javës dhe kryeministri Boris Johnson premtoi se do të vendosë kushte në negociatat, që pritet të testojnë marrëdhënien e veçantë mes dy vendeve. Pas daljes nga Bashkimi Evropian në muajin janar, Johnson kërkon të ndjekë një marrëveshje tregtare me Washingtonin, për të vërtetuar pavarësinë e Britanisë dhe për të vendosur presion tek bisedimet me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që ekipet e negociatave i drejtohen Brukselit, qeveria prezantoi mandatin për bisedimet me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se Londra mund të largohet nëse kërkesat nuk përmbushen. Britania e Madhe deklaroi se kërkon të arrijë përfitime të mëdha, duke hequr barriera tregtare, por shtoi se Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë nuk do të përfshihet në negociata dhe standardet e ushqimit nuk do ndryshojnë. “Ne kemi negociatorët më të mirë dhe do të vendosim kushte të ashpra për të nxitur industrinë britanike”, tha Johnson, duke shtuar se marrëveshja tregtare transatlantike do të reflektojë afërsinë unike të dy kombeve të mëdha.
Analizat qeveritare bëjnë të ditur se marrëveshja me SHBA mund të nxisë tregtinë përmes Oqeanit Atlantik me 15.3 miliardë paund dhe shtojë 3.5 miliardë paund tek ekonomia britanike. SHBA janë aktualisht partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe pas Bashkimit Evropian dhe zënë thuajse 19 për qind të eksporteve totale dhe 11 për qind të importeve. Bashkimi Evropian, zinte 45 për qind të totalit të eksporteve të Britanisë së Madhe dhe 53 për qind të importeve.