Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar presidentit Hashim Thaçi që të mendojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend, pasi nuk kanë për t’i dërguar një emër të ri për kryeministër veç Albin Kurtit. Zyra për Media e VV-së bën me dije se sapo do të përfundojë gjendja me koronavirusin në vend, Kosova duhet të hyjë në afatin kushtetues dhe të shpallen zgjedhjet e reja.
LVV bën me dije se është e fokusuar në luftën ndaj koronavirusit dhe më vonë do të mendojë për zgjedhjet e reja në vend.
“Tani për tani të gjithë ne së bashku me Qeverinë jemi të fokusuar rreth Pandemisë së koronavirusit. Sapo të kalojmë këtë pandemi menjëherë duhet të shkojmë ne zgjedhje të reja. Presidenti Thaçi nuk ka pse kërkon emra për kryeministër të ri, por le të mendoj rreth datës së zgjedhjeve porsa të mbaroj çështja urgjente e Covid19,”-ka deklaruar LVV.
Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua 51 ditë pas mandatimit me 82 vota pro nga Kuvendi i Kosovës. Shkak u bë shkarkimi i ministrit Agim Veliu nga radhët e LDK-së dhe moshpallja e gjendjes së emergjencës. Por Kurti pretendoi se shkak për rrëzimin e qeverisë së tij ishte një marrëveshje e fshehtë Msutafa-Thaçi për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Tanimë LVV-ja do të duhet të propozojë një tjetër emër për kryeministër dhe do të rinisin negociatat për formimin e një tjetër koalicioni, gjë që ata mohuan se do ta bëjnë. Nëse nuk ndodh mund të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme, që me koronavirusin duken një skenar i pamundur.