Shkrimtari dhe përkthyesi Bahkim Shehu jeton në Spanjë, në ‘qendërn botërore të coronavirusit’, të paktën gjatë dy javë të shkuara. Kjo nuk është intervsitë për Spanjën në veçanti, megjithëse vibrimet e saj ndihen në të. Në këtë intervistë për Politiko.al z. Shehu ruan po atë maturi kirurgjikale që e ka edhe në një bisedë të drejtpërdrejtë.

Nervi i tij poshtë kësaj heshtjeje është te ‘profecitë’ e tij: se si bota mund të bëhet më e varfër dhe më autoritariste, se si duhet të kthehet te politikat shëndetësore duke u larguar nga ‘medikalizmi’. Këtë të fundit e sheh si rrezik potencial kur lajmëron se masat dhe efektet sekondare nuk mund të jenë më të ashpra se sëmundja.

Kjo intervistë është një ftesë për të lexuar romanet e Bashkim Shehut dhe ndoshta një roman ‘të kontekstit’ të përkthyer prej tij, ‘Murtajën’ e Albert Kamysë. Një punë e shkëlqyer e shqipërimit.

1.Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?

Përfytyrimi që kam pasur ishte mjaft abstrakt. Në njëfarë mënyre, e përshoqëroja vetvetiu me portet detare, si një hapësirë në kufi, si limes. Po kurrsesi nuk mund ta përfytyroja që të ishte vetë shtëpia, hapësira e intimitetit, hapësira fizike më e brendshme për njeriun, pjesë e shpirtit, si të thuash.

Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?

Kufizimet më të mëdha që më ka sjellë karantina lidhen me ato që u ka sjellë të tjerëve, institucioneve kulturore ose fondacioneve me të cilat kam punë herë pas here, teksa një pjese të madhe të tyre u është vënë kyçi në këtë periudhë, madje disa i kanë vënë kyçin vetes edhe në botën virtuale të komunikimit elektronik. Ndërsa plusi qëndron në rritjen e komunikimit me njerëz të afërt që ndodhen larg fizikisht.

Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Bëhen profeci gjithfarësh nga mendimtarë të ndryshëm, duke filluar që nga Zhizheku, i cili madje, me mungesën e tij karakteristike të seriozitetit intelektual, ka shkruar një libër tashmë. Por duket se të gjithë flasin në tym. E vetmja që mund të thuhet me siguri të plotë është se do të jemi më të varfër. Dhe, sa më gjatë që të vazhdojë kriza sanitare, aq më të varfër do të jemi paskëtaj. Kjo nuk është profeci, është sens komun: si mund të mos varfërohet një shoqëri nëse veprimtaria ekonomike qëndron e paralizuar një kohë të gjatë? Kam frikë se, kur të mbarojë kriza sanitare, do të na vijë një tsunami i dytë, edhe më i tmerrshëm se kjo që po ndodh tani. Varfërimi i menjëhershëm sjell probleme të rënda politike, me rreziqe për demokracinë kudo në botë. Kam frikë se do të jetë një terren shumë i përshtatshëm për nacional-populizmin e ekstremit të djathtë, i cili ishte në rritje në mbarë Perëndimin qysh përpara koronavirusit.

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?

Më bën shumë pesimist ndasia e Bashkimit Europian, në vende të pasura dhe në vende më pak të pasura, teksa të parat ngurojnë të ndihmojnë të dytat, që janë edhe më të goditurat nga kriza sanitare. Optimist më bën mundësia e përmbysjes së dogmës neoliberale në fushën e shëndetësisë, e shprehur në një politikë ekonomike të mbrapshtë dhe cinike që e shihte shëndetin e njerëzve gjithmonë e më tepër si objekt biznesi, jo vetëm në SHBA, po edhe në Europë, veçanërisht në Itali, në Spanjë, në Francë e në Britaninë e Madhe, vende ku janë bërë shkurtime të mëdha fondesh sociale në vitet e fundit apo në dekadat e fundit. Dhe janë pikërisht vendet ku virusi po shfaqet më vdekjeprurës. Nga ana tjetër, jam shumë i matur në këtë optimizëm sepse rikthimi i një politike të tillë sociale duket se po forcon së tepërmi shtetin komb, çka mund ta thellojë atë vetëmbyllje antiglobaliste që kishte filluar qysh përpara kësaj krize. Bindja ime është që globalizimi duhet të reformohet, jo të shkatërrohet.

Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Ngaqë edhe përpara karantinës kam punuar në shtëpi, ky regjim i ri thuajse nuk ka sjellë asnjë ndryshim në jetën time. Në mëngjes, para se të filloj punën, lexoj gazetat në internet, vetëm se tani, e krizën e koronavirusit, i kushtoj më shumë kohë këtij leximi. Pastaj filloj punën dhe vazhdoj gjer në drekë. Hamë drekë familjarisht, si gjithmonë, dhe komentojmë lajmet, me time shoqe dhe me dy vajzat, të cilat po rriten dhe tashmë kanë mendimet e tyre. Pasdreke, lexoj nja dy orë. Dhe pasdite ulem prapë në kompjuter për të punuar, gjer në mbrëmje, me pauza të shkurtra herë pas here dhe me një ndërprerje të përditshme në orën 8, kur dalim familjarisht në ballkon, si të gjithë qytetarët, për të duartokitur në shenjë solidariteti me mjekët dhe infermierët që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë, në luftë me koronavirusin, për t’u shpëtuar jetën të tjerëve (rreth 15% e mjekëve dhe infermierëve këtu në Spanjë janë të infektuar, ngaqë pajisjet mbrojtëse janë të pamjaftueshme, si rrjedhojë e shkurtimeve drastike që kanë bërë vitet e fundit qeveritë e djathta në buxhetin për shëndetësinë). Në mbrëmje vonë, e ndërpres punën dhe fillon koha e çlodhjes. Pi ndonjë gotë me time shoqe, në vend që ta pinim në lokal, dhe ndonjëherë takohemi me miqtë (në Skype, sigurisht) për të pirë ndonjë gotë me ta e për të biseduar. Dita mbyllet me shikimin e ndonjë filmi në televizion, zakonisht filma të lehtë, nga ata që jep televizioni spanjoll. Ndërkaq, do të doja të sugjeroja për karantinën filma më të mirë se ata që jep rëndom televizioni spanjoll. Do të sugjeroja filma nga Hitchcock dhe nga Billy Wilder, nga Costa-Gavras dhe nga Woody Allen, si dhe një sërë filmash nga Fellini (“La dolce vita”, “Amarcord”, “Casanova”, “La città delle donne”, “Ginger e Fred”, “La voce della luna”). Për lexim, do të sugjeroja “Dekameronin” e Bocaccio-s, “Murtajën” nga Camus, “Dashuri në kohën e kolerës” nga Gabriel García Márquez, “Ese mbi verbërinë” nga José Saramago, si dhe “Qorrfermanin” e Kadaresë. Ndryshe nga të gjithë librat e tjerë që përmenda, “Qorrfermani” nuk bën fjalë për ndonjë epidemi, po ndërkaq, ashtu si në situatën e sotme të koronavirusit, në qendër të kësaj novele janë frika dhe ndjenja e fajit. Në rastin e koronavirusit, frika nga sëmundja dhe ndjenja e fajit ngaqë jemi bartës potencialë dhe mund të sëmurim të tjerët, ashtu si ata që mund të kishin “syrin e keq” te “Qorrfermani” dhe që nuk e dinin, pra kushdo mund ta kishte “syrin e keq”. Këtu mbaron paralelizmi ndërmjet “sykeqojës” së Kadaresë dhe koronavirusit. Veçse ky përkim i epidemisë me tiraninë më duket shumë domethënës, ngaqë frika dhe ndjenja e fajit përbëjnë terrenin shpirtëror më të përshtatshëm për atë që Étienne de la Boétie e ka quajtur “skllavëri e vullnetshme”, pra edhe për sundimin total. Michel Foucault, katër dekada më parë, ishte shumë i shqetësuar nga perspektiva e asaj çka ai e quante “medikalizim” të shoqërisë, apo të pushtetit, si mënyrë kontrolli total mbi qytetarët. Sigurisht, politikanët bëjnë mirë që dëgjojnë specialistët e mjekësisë, e megjithatë çdo terapi ka efekte sekondare. Dhe tani, me masat e jashtëzakonshme që merr politika, i tërë korpusi i shoqërisë ndodhet në terapi intensive. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes që efektet sekondare të masava të gjendjes së jashtëzakonshme, në mendësinë e njerëzve dhe në gjendjen e tyre si qytetarë, të mos jenë të më rënda se vetë sëmundja.

©Politiko