Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me anë të një video-mesazhi, duke folur për gjendjen në veri të Kosovës.

Ai thotë se në Kosovë ka politikanë që duan konflikte dhe gjakderdhje në veri të vendit, në mënyrë që të rikthejnë idenë për shkëmbimin e territoreve dhe te ndarja e Kosovës.
‘Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Kurti.

Kurti nuk ka lënë pa thumbur edhe Presidentin Thaçi, për të cilin thotë se po sillet si njëri nga liderët e opozitës, duke kujtuar edhe shprehjen e urteë popullore: “kur dhelprës po i digjet bishti, ajo thotë se po digjet bota”.

“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente.

Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tani duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës.

Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.

“Atyre që kontribuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tani kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë. Piskamat e tyre patriotike nuk janë për shtet, por për pushtet.

Edhe deklarimet e Presidentit që po sillet si njëri nga liderët opozitarë merrni me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se kur dhelprës po i digjet bishti ajo thotë se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo jo, nuk do ta lejojmë”, tha ai.