Drejtoria e Tatimeve ka dhënë informacion lidhur me ecurinë e deritanishme të aplkikimeve per ndihmë financiare për përfitimin e pagës minimale prej 26 mijë lekë nga bizneset e vogla.Sipas grafikëve të publikuar, deri tani kanë aplikuar 86.6 mijë punonjës dhe 49.2 mijë biznese.
Nga këta, janë verifikuar deri tani 35.8 mijë punonjës dhe 21.4 mijë biznese.Nga punonjësit që janë verifikuar, ndihma financiare për ta është pranuar për 20.6 mijë punonjës, pra për 58% të rasteve të verifikuara. Si rrjedhojë, rreth 42% të aplikimeve të punonjësve janë refuzuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.254, datë 27.3.2020 parashikon ndihmën financiare vetëm për bizneset që janë në listën e aktiviteteve të mbyllura nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa punonjësit e bizneseve të vogla, që nuk janë në këtë listë, nuk përfitojnë, ndonëse mund ta kenë mbyllur aktivitetin.
Bizneset janë ankuar se edhe pse ndodhen në listën e aktiviteteve të mbyllura po refuzohen, për shkak se statusi i aktivitetit të tyre mund të ketë qenë i paqartë, ndërsa tatimet nuk vijnë të verifikojnë në terren. Tatimet ndërkohë kanë bërë të ditura disa numra telefoni ku subjektet e refuzuara mund të ankohen. https://www.monitor.al/tatimet-ku-te-ankoheni-kur-keni-probleme-me-per-perfitimin-e-ndihmes-financiare/
Numri i refuzimeve ka qenë më i lartë në Tiranë, Durrës e Fier, ku janë dhe aplikimet më të mëdha, për shkak të madhësisë së këtyre ekonomive.Në total janë të punësuar në biznesin e vogël 176 mijë punonjës, nga të cilët pritet të kompensohen rreth 60 mijë, pra një e treta.Nga rreth 20.6 mijë punonjës, aplikimet e të cilëve kanë rezultuar positive, rreth 17 mijë janë paguar tashmë.