DEKLARATË E KOMITETIT TEKNIK TË EKSPERTËVE TË NGRITUR NË BAZË TË LIGJIT “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E INFEKSIONEVE DHE SËMUNDJEVE INFEKTIVE”, PËR INFEKSIONIN E PËRHAPUR NGA KORONAVIRUSI I RI: Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga intensifikimi i debatit publik mbi numrin e testimeve që është duke kryer Shqipëria, në kuadër të luftës kundër Covid19, dëshiron të sqarojë opinionin publik si më poshtë:
Strategjia e testimit për Covid 19 bazohet në ekspertizë, në karakteristikat e modelit të përzgjedhur sipas rekomandimeve të OBSh për qëllimin, zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit.
Debati mbi testet për Covid 19, mbi sasinë e testeve që kryhen, mbi rezultatet e një modeli apo një modeli tjetër, është një debat i cili vazhdon të zhvillohet në mbarë botën dhe ka opinione e qasje nga më të ndryshmet.
Përgjegjësia e Komitetit Teknik të Ekspertëve është që të zbatojë një strategji të mirëpërcaktuar, e cila synon të identifikojë rastet, të ndjekë dhe të ndërpresë zinxhitin e transmetimit të infeksionit. Një strategji që, duke u nisur nga konstatimet dhe rezultatet e derisotme, nuk gjejmë asnjë arsye për ta rikonsideruar.
Detyra funksionale e Komitetit Teknik të Ekspertëve është që të udhëzojë dhe të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet, me qëllim zbatimin rigoroz të një strategjie të përcaktuar qartë, të luftës kundër Covid19 në tërësinë e saj.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se masat e marra nga autoritetet shqiptare, kanë qenë tejet të dobishme dhe kanë patur efekte pozitive, të cilat duhet bërë kujdes maksimal, që të mos zhbëhen prej lehtësimeve që mund të rezultojnë të parakohshme.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se në kushtet e krijuara prej masave shtrënguese, puna hetimore në terren dhe rezultatet e saj, kanë qenë optimale deri në këto momente.
Edhe për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk sheh asnjë arsye për të rikonsideruar Planin tonë të paracaktuar Strategjik.
Ne kemi një lutje për të gjitha burimet e informimit, si dhe të gjithë aktorët dhe faktorë publikë, që të sigurohen që opinionet e tyre joprofesionale, apo profesionalisht të palidhura drejtpërdrejt me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të mos krijojnë konfuzion, të hapin shtigje për hamendësime dhe gjykime të gabuara nga ana e opinionit publik, mbi punën tonë.
E fundit, të gjithë ne mendojmë se të gjithë së bashku duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne jemi tejet të inkurajuar mbi rezultatet e arritura deri më sot, dhe nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se në mungesë të masave që kemi marrë dhe strategjisë që kemi ndjekur, do të gjendeshim në kushtet e kolapsit të plotë të sistemit tonë shëndetësor.
Fakti që sistemi ynë Shëndetësor nuk gjendet në asnjë lloj presioni, si rezultat i daljes jashtë kontrolli të Covid19 – ashtu siç nuk ka edhe asnjë arsye që të flejmë mbi dafina – nuk përbën arsye për të neglizhuar kur flitet për shumëçka, por nga ana tjetër harrohet ky fakt thelbësor.
Duke ndjerë përgjegjësinë kolosale të detyrës që secili prej nesh ka, në kushtet kur e gjithë bota, të gjitha shtetet, pavarësisht shkallës së zhvillimit, gjenden çdo ditë përballë dilemash jo të vogla në raport me qasjen ndaj Covid19, Komiteti Teknik i Ekspertëve siguron të gjithë qytetarët shqiptarë se udhërrëfyesi ynë i vetëm, është ndërgjegja jonë profesionale.