Zëvendësministri i Shëndetësisë së Italisë, Pierpaolo Sileri, gjatë një interviste televizive për “Trmh24”, ka theksuar se fjalët e kryeministrit Edi Rama, gjatë ceremonisë së përcjelljes së ekipit të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Italisë, ishin fjalë prekëse, madje ai i cilësoi si më të bukurat që ka dëgjuar në jetën e tij. Në studion e TRMH24 u risoll fakti që Shqipëria fundjavën e shkuar në shenjë solidariteti me popullin italian ka dërguar në Lombardi, në zonën më të goditur nga COVID-19, 30 mjekë dhe infermierë. Kryeministri Rama gjatë ceremonisë së përcjelljes së mjekëve dhe infermireëve nënvizoi se “Shqipëria nuk është një vend i pasur, por gjithashtu nuk është një vend me memorie të shkurtër”.

Lidhur me këto fjalë, zv.ministri i Shëndetësisë, Sileri shprehet i prekur. “Doja të thoja që fjalët e kryeministrit Edi Rama ishin vërtetë prekëse, besoj se ishin fjalët më të bukura që kam dëgjuar në jetën time. Ishte bukur të prisnim këto 30 mjekë dhe infermierë dhe mes tyre ishin dhe dy studentë të mi, pasi unë kam dhënë mësim në Tiranë dhe nuk e dija, që ata ishin pjesë e grupit. U prekëm kur i takuam, por më pas u nisën drejt veriut të Italisë. Edhe tani prekem e më skuqen sytë, kur mendoj fjalët e Kryeministrit. Nuk ka fjalë për gjeste të tilla. Ju faleminderit!”,- theksoi Sileri.

Zv.ministri italian tha se Italia do të jetë gjithnjë pranë Shqipërisë, pasi janë dy popuj vëllezër. “Na kërkoni ndihmë nëse keni nevojë. Unë e njoh popullin shqiptar, kam parë të rinj që studionin mjekësi dhe për mua janë si vëllezërit tanë, janë italianë, siç jam unë shqiptar”,- theksoi Sileri.