Në qarkun e Shkodrës pesë qendra shëndetësore i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë, pjesë e programit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të rehabilituara me fondet e buxhetit të shtetit. Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga transformimi në qendrat shëndetësore të qarkut Shkodër: Lepushë, Hot, Kryezi, Dedaj dhe Zogaj. “Mirëmëngjes dhe ju uroj një fundjavë të paqtë, me qendrat e reja shëndetësore në Shkodër, si një tjetër shembull i thjeshtë i ripërtëritjes hap pas hapi, të sistemit tonë shëndetësor”, tha Rama.
Konkretisht pjesë e programit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të rehabilituara me fondet e buxhetit të shtetit janë Qendra Shëndetësore fshati Zogaj, Ambulanca fshati Dedaj, Ambulanca fshati Kryezi Sipër, Ambulanca fshati Hot, Qendra Shëndetësore fshati Lëpushë. Mjekët, infermierët por edhe vetë banorët e këtyre zonave vlerësojnë investimet që janë bërë, të cilat ofrojnë kushte më të mira.
“Ka pasur shumë lagështi, ka pasur shumë myk. Është e pakrahasueshme me gjendjen që ishte. Kushet janë bërë bashkëkohore”, shprehen bluzat e bardha. “Gjithçka është në rregull dhe mbi të gjitha të jep kënaqësinë të punosh me të tëra kushtet. Punojmë tamam me dinjitetin që na takon si bluza të bardha”, shprehen ata.