Disa shkencëtarë tani thonë se disa aktivitete e biznese mund të jenë përgjegjëse për të paktën 80 për qind të infeksioneve me koronavirusNjë raport i publikuar në faqen në internet të gazetës britanike “Telegraph”, detajon disa gjetje sipas të cilave “tregjet e mbipopulluara, vendet ku merren mësime vallëzimi, tavernat dhe grupet korale” mund të jenë përgjegjësit kryesorë për përhapjen e virusit.
Publiku e di tashmë se shpërndarësit më të mëdhenj të virusit përfshijnë objekte si “spitalet, azilet e pleqve, godina të mëdha konviktesh, impiantet për përpunimin e ushqimit dhe tregjet ushqimore”.
Megjithatë sipas artikulli burim i një përhapje të madhe të infeksionit ishte një tavernë në alpet e Tirolit. Sipas “Telegraph” qindra infeksione në Britani, Gjermani, Islandë, Norvegji dhe Danimarkë e kanë pasur origjinën nga taverna “Kitzloch”, e njohur për festat gjatë sezonit të skive.
Një studim në Korenë e Jugut zbuloi se “ushtrimet fizike në objektet sportive të dendura me njerëz mund të rrisë rrezikun për t’u infektuar nga koronavirusi”. Sipas gjetjeve 112 njerëz ishin infektuar me virus brenda 24 ditëve pasi kishin marrë mësime vallëzimi në 12 godina të ndryshme.
Një tjetër studim tregoi se anëtarët e një kori ishin prekur nga virusi dhe sipas studiuesve gjasat ishin që koronavirusi të ishte përhapur kur anëtarët e korit janë përshendetur njëri-tjetrin, gjë që ka ndodhur përpara se të merreshin masat për distancim fizik. Sipas artikullit të gazetës virusi preku anëtarët e një kori në Amsterdam, duke infektuar 102 nga 130 anëtarë gjithsej.