Nga Alfred Peza

Presioni më i fortë Lulzim Bashës i ka ardhur nga jashtë PD dhe “Opozitës së Bashkuar”, vetëm kur ai ka marrë vendime politike, që binin ndesh me interesat e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Është hera e parë qëshkurse është bërë Kryetar i Partisë Demokratike këtu e 7 vjet më parë, që Lulzim Bashës po i bëhet një presion i jashtëzakonshëm opozitar, për të qëndruar në një llogore politike me Ilir Metën.

Deri dje, ky lloj presioni ndaj tij, bëhej për krejt të kundërtën. Fillimisht shumëkush i kërkonte që të krijonte profilin e tij origjinal politik, pas dominimit 23 vjeçar të Sali Berishës në krye të PD. Të tjerë i tregonin shembullin e Ramës, i cili pasi zëvendësoi Fatos Nanon në krye të PS, ditit të ruajë fizionominë dhe të harmonizojë brezat politikë, për të krijuar një platformë dhe ekip fitues në zgjedhjet e 2013.

Të tjerë akoma, kanë qenë edhe më të prerë me Lulzim Bashën, duke i kërkuar largimin njëherë e përgjithmonë të Sali Berishës nga skena politike shqiptare. Një qasje e quajtur ndryshe në politologji “atvrasja”, ku përmes këtij akti, ai të ishte i lirë nga gabimet e së shkuarës dhe për rrjedhojë, të fitonte më shumë përkrahës dhe mbështetës. Është kjo një nga arsyet se përse shumë nuk i afrohen PD dhe të djathtës, megjithëse nuk janë socialistë apo votues e përkrahës të së majtës tradicionale shqiptare.

Ata që sot i bëjnë presion të hapur publik Lulzim Bashës për të qenë në një llogore politike me Ilir Metën, e kanë kritikuar atë deri dje për hapjen që ai i bëri gardhit të kolaicionit të “Opozitës së Bashkuar” për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Duke i kujtuar, koalicionin me PS dhe Edi Ramën për të qeverisur për 4 vjet me radhës sëbashku, atëherë kur PD kishte më shumë nevojë për aleatë besnikë.

Lulzim Basha është kritikuar, për mungesën e vendosmërisë së tij për ti prirë i vetëm opozitarëve shqiptarë, bazuar tek partitë e spektrit të djathtë. Ata kanë dashur një Parti Demokratike që do ti harmonizonte të gjitha vlerat e saj përballë të majtës historike shqiptare dhe derivateve të reja. Sikundër e kanë kritikuar kryetarin e opozitës, për faktin se po e lejonte konkurentin e tretë të skenës politike shqiptare, që të sillej fillimisht si i barabartë me të, e më pas edhe si më i rëndësishëm se ai. Sali Berisha nuk ia kishte lejuar kurrë këtë Ilir Metës më parë.

Ata që e kanë kritikuar deri dje Lulzim Bashën, i kanë kujtuar atij herë piruetat e LSI djathtas kur i duheshin PD për të çarë të majtën dhe herë majtas për ta rrëzuar atë vetë nga pushteti. Herë sakrificat e militantëve demokratë në rrugë, të pa punë, në protesta e mitingje, ndërkohë që ata të LSI, nga drejtorë të Qeverisë “Berisha” u konvertuan një ditë të bukur krej papritur, në drejtorë të Qeverisë “Rama”.

Sot askush nuk kujtohet më për të gjitha këto. Sepse ishin të njëjtët që i bënin presion Lulzim Bashës që tia mbushte Ilir Metës Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për protestën e 2 marsit. Më pas për ta bërë Kryetarin e PD të rreshtohej pas Presidentit, në takimin me partitë e “Opozitës së Bashkuar” në Vilën Nr. 4 të para pak ditëve. Dhe tani, që ai refuzon që të presë ambasadoren e SHBA se nuk ka kohë, kërkojnë që të njëjtën të bëjë edhe Lulzim Bashës në zyrën e tij në SHQUP, për solidaritet me Ilir Metën.

Ata që i kërkojnë sot Lulzim Bashës të jetë në një llogore politike me Ilir Metën, deri dje e kanë dashur atë, internacionalist. Ndërsa sot, i bëjnë presion që të jetë, nacionalist. E nacionalist për ta, Lulzim Basha është duke mos pritur Yuri Kim në zyrë dhe jo duke e inkurajuar për të përfunduar një orë e më parë reformën elektorale, për të cilën çirreshin deri dje. Ata që deri dje e kanë dashur Lulzim Bashën të pavarur nga Sali Berisha, sot e duan sovranist. Të pavarur vetëm nga SHBA dhe BE.

Ata që deri dje e kanë dashur Kryetarin e PD një udhëheqës jo në stilin “sovjetik” të Sali Berishës, por në lartësinë e shkollimit dhe edukimit të tij perendimor, e duan sot Lulzim Bashën një udhëheqës antiperendimor. Sepse ata e kanë vendosur shenjën e barazimit të sovranizmit të tyre, me zhbërjen e reformës në drejtësi. E duke mos e thënë dot këtë, e duan Lulzim Bashën një lider që të eci në të kundërtën e orientimit tonë qytetërimor dhe aleancës strategjike të shqiptarëve me SHBA dhe BE.

Ata që i bëjnë sot presion Lulzim Bashës që të qëndrojë në një llogore politike me Ilir Metën, duhet të kenë kurajon që ta çojnë deri në fund sovranizmin e tyre. Sepse nuk mund të jesh edhe sovranist, edhe të duash ta mbash ende Shqipërinë anëtare të NATO. Nuk mund të jesh sovranist, ndërkohë që vazhdon të duash liberalizimin e vizave. Nuk mund të jesh sovranist, e nga ana tjetër, të bësh Platforma për Integrimin Europian. Sovranist me kohë të pjesëshme, vetëm për një çështje të vetme si reforma në drejtësi, nuk ka. Sepse sovranist, ose je, ose nuk je!