Nga Andrea Danglli

Teksa përpiqem të imagjinoj sesi mund të duket një hero, në mendje më skicohen rreshtat e librave të fëmijërisë ku ata shfaqen me shpatë në dorë, me parzmore në krah, me heshta mbi sup, me trup të lidhur fuqishëm, me vetulla të ngrysura, me veshje të posaçme apo me zë kumbues që i prin bindshëm turmave për ndryshim.

Pothuajse të tillë kanë qenë për kohën kur kanë jetuar, duke i përçuar historisë një imazh heroik të cilin e kemi të vështirë ta ndryshojmë kur vjen fjala për të personifikuar heronjtë e rinj të ditëve tonë. Unë pretendoj se njoh disa të tillë pavarësisht se kanë të vizatuar një tjetër portret.

Njoh disa që sot gjenden mes idealeve që ua mbajnë kokën lart, fisnikërisë që u kalit kurajon, presioneve të pamata, portofoleve modeste apo shembujve negativë të cilët shtohen çdo ditë për t’i tërhequr si spirancë drejt fundit.

Janë ca heronj që i shohim në ekran, i lexojmë nëpër gazeta, i ndjekim nëpër portale apo i takojmë në vendngjarje dhe fatkeqësisht, asnjëherë nuk ua vlerësojmë sa duhet kontributin.

Mjafton që njëri prej tyre të gabojë e atëherë “kostumi” i superheroit zhvishet padrejtësisht për të gjithë duke i lënë ata të vetëm dhe të ekspozuar përpara sulmeve frontale të të gjithëditurve, të cilët në të tilla raste nuk e kursejnë moralin me doza hipokrite, epitetet bulevardeske apo fashitjen e të gjithë punës së tyre.

Janë ca heronj të rinj që quhen gazetarë të rinj dhe ty që po më lexon ta kërkoj si nder që të mos nxitosh të nxjerrësh paragjykime nga goja pa më ndjekur deri në fund. Po flas për ata që këto ditë pandemie kanë sjellë lajmin e fundit në shtëpinë tënde duke qëndruar të ekspozuar përballë rrezikut, krizës ekonomike dhe paragjykimeve të publikut të cilat nganjëherë janë më vrastaret.

E di që mund të mos jesh dakord me mua sepse media shpeshmi nuk është ajo që duhet të jetë, por të lutem, le të mos ngatërrohemi: Gazetar nuk është veç ai që ti e sheh rëndom në banaqet e kompromiseve duke tjetërsuar të vërtetën për qëllime të nëndheshme, të cilat me të drejtë të kanë zbehur ty besimin tek e vërteta. Kujdes! Ajo që ti sheh aktualisht është vetëm tymnaja e errët që del nga lufta e vazhdueshme që po zhvillohet mes mentalitetit të vjetër mediatik dhe atij të ri. Në këtë përballje fiton ai që përkrahet më tepër dhe të gjithë e dimë që për shumëkënd kjo klimë është diçka e mrekullueshme, por për të tjerë mbetet e papranueshme.

Po flas për “bletët e informacionit” që nuk kanë as biznese me politikën, as vila luksi nga politika në mal apo det dhe as llogari të majme bankare.

Po flas për një gjeneratë të re, për të cilën ti që po më lexon, bashkë me të gjithë shoqërinë je ende në kohë për të ushtruar përgjegjësinë tënde qytetare duke i siguruar asaj trasenë e duhur të integritetit. Besimi te ta është e vetmja alternativë që mund të mbajë në këmbë gazetarinë, duke e hequr nga putrat e opinionbërësve të cilët e kanë shndërruar këtë profesion në marrëdhënie publike me pagesë për aktorët e politikës apo biznesit.

Fytyra e medias nuk është veç në dorën e një apo dy individëve: është e gjithë shoqëria ajo që krijon klimën e përshtatshme që ndershmëria, talenti dhe trimëria e tyre të çajë përpara.

Sot, në ditën ndërkombëtare të lirisë së medias, gjëja më komike është të ndjekësh reagimet e shumta nga kampet politike, organizatat apo nga biznesi, të cilët çuditërisht gjejnë guximin për të folur.

Natyrshëm të vjen në mendje ajo shprehja “I vret natën dhe i qan ditën”, e i referohem këtu një vrasjeje akoma më të madhe sesa ajo me plumb: ekzekutimit të integritetit profesional përmes metodave nga më të ndryshmet.

Nuk është nevoja të thurim elozhe dhe as të vendosim kujën për median e re, por ta respektojmë duke ia njohur meritat dhe hallet në mënyrë që të kemi atë që duhet.

Nganjëherë nuk është nevoja të lexosh raporte, pasi mjafton të telefonosh disa gazetarë të rinj për të kuptuar gjendjen reale në të cilën ajo ndodhet.

Kështu për shembull së paku mund të kuptosh edhe ato që raportet nuk i thonë ku: Pak e dinë që në kohë pandemie, në një kohë kur të gjithë kontributorët në vijën e parë janë vlerësuar maksimalisht me të drejtë, mjaft gazetarëve që kanë qëndruar në të njëjtat hapësira për të përcjellë zhvillimet u janë ulur dhe vonuar pagat.

Po ashtu, pak e dinë që mjaft gazetarë të rinj paguhen po aq sa një punonjëse e thjeshtë fasonerie (me gjithë mirënjohjen për punën e stërlodhshme të atyre zonjave).

Pak e dinë se shumica e gazetarëve të rinj janë të kequshqyer, sepse zakonisht i kushtohet më shumë rëndësi shuarjes së urisë për lajmin sesa asaj për bukën e gojës.

Pak e dinë edhe që në të shumtën e rasteve është gazetari i ri ai që bëhet “kokë turku” moralisht dhe financiarisht kur gjërat nuk u shkojnë mirë “sheikëve” të medias.

Pak e dinë edhe që barrën e përplasjes së pronarëve të medias me politikën e vuajnë kryesisht gazetarët, ndërkohë që gjeneralët e medias qëndrojnë të palëkundur në bedenat e tyre duke pritur çantat e rryshfeteve.

Kaq janë pak! Sa e sa shumë shembuj të tjerë gjërash ka, të cilat dëshpërimisht pakkush i di…

Jam i vetëdijshëm që media jonë ka trashëguar 1001 probleme, por ama duhet pranuar se pulsojnë shenja të vogla shpresëdhënëse të cilat nëse merren në konsideratë dhe nëse ne veprojmë në kohë, mund t’ia heqin litarin nga fyti gazetarisë për t’i dhënë lirinë që i duhet.

Le të mos i vrasim heronjtë e ditëve tona me paragjykimet e së shkuarës të cilët frymëzojnë veç dashakeqët që duan t’i nxjerrin jashtë loje.

Misioni i tyre nuk ka nevojë as për buste bronxi dhe as për himne, por vetëm për mbështetje qytetare në mënyrë që integriteti dhe talenti i tyre të vihen në shërbim të lajmit i cili domosdo duhet të fitojë mbi tymnajën e së djeshmes.

Udhëtimi i tyre ka nisur dhe duhet të vazhdojë!