Ai ishte një nga kampionët më të mëdhenj të brezit të tij dhe gjatë karrierës së jashtëzakonshme, me të drejtë ka fituar një vend mes legjendave më të mëdha të Juventusit. Alessandro Del Piero, jo vetëm fitoi gjashtë “scudetti”, një Kupë Italie, katër Superkupa Italiane, një Ligë të Kampionëve, një Superkupë Europiane dhe një titull në Serie B, por gjithashtu vendosi rekord për ndeshjet e luajtura (705) dhe golat e shënuar (290) me bardhezinjtë.

Por, gjërat mund të kishin shkuar shumë ndryshe, nëse vetëm pas vitit të tij të parë në Torino, ai do të ishte transferuar te Parma. Në kohën që konsiderohej një nga talentet më të mirë të futbollit italian dhe kishte bërë tashmë gjëra të rëndësishme me fanellën e Juventusit, mund të shkohej drejt ndarjes. Luciano Moggi e zbulon këtë fakt për “Il Bianconero”.

Ish-menaxheri i përgjithshëm i Juventusit arriti ta kthejë mbrapsht marrëveshjen e përmbyllur praktikisht të sulmuesit me parmalatët: “Kur arrita unë, Del Piero ishte shitur te Parma. Kontratat ishin nënshkruar tashmë. Ai ishte në New York për Kupën e Botës ’94. Edhe presidenti Tanzi ishte atje. Kësisoji, edhe unë u bashkova me ta në SHBA. Pas disa ditësh ia dola ta bindja presidentin verdheblu që të ma kthente Del Pieron. Në kthim i dhashë Dino Baggio”.