Kampionati shqiptar është mbyllur tashme prej thuajse dy muajsh për shkak të pandemisë. Federata Shqiptare e Futbollit po punon për të hartuar një plan rinisje për të mbyllur Superioren në fushën e lojës, teksa mungojnë edhe 10 javë nga mbyllja e sezonit. Diçka është e sigurt. Gjatë kësaj kohe nuk do të kemi tifozë në stadiume.
Mjeku Pëllumb Pipero në një intervistë në “Procesi Sportiv” paralajmëroi se tifozët do të kthehen në stadiume të paktën në fund të këtij viti, pasi hapja do të jetë e ngadaltë dhe do të tregohet kujdes rigoroz. Kështu, na lind e drejta të bëjmë një parashikim të thjeshtë se cila është skuadra, që humbet më shumë para nga mungesa e tifozëve në stadium.
Është mjaft e thjeshtë, pasi shihet me sy të lirë. Tirana këtë sezon është kthyer në ditët e dikurshme dhe automatikisht tifozët janë më të shumtë në shkallët e stadiumit. Përveç tifogrupeve, që e ndjekin gjithmonë ekipin, në stadium kemi parë edhe shumë fëmijë me baballarët e tyre e familje, që vendosin të kalojnë një kohë të bukur në stadium.
Tani që futbollit duhet të duhet të luhet pa tifozë, Tirana pritet të përballet më një humbje të madhe financiare. Në teori bardheblutë parashikonin të luanin edhe të paktën tre ndeshje në “Air Albania”, ku përveç derbit, mesatarja e tifozëve në stadium ka qenë rreth 5 mijë.
Tirana-Vllaznia, Tirana-Kukësi, që është një ndeshje, e cila do mblidhte një numër të madh tifozësh për shkak se verilindorët janë rival direkt për titullin dhe Tirana-Bylis, sfida e fundit e kampionatit, në të cilën nëse gjithçka do shkonte në rrugën e duhur, skuadra e Egbo do ngrinte titullin, do të luheshin në impiantin më modern në vend.
Dy ndeshje do të mblidhnin një numër të konsiderueshëm tifozësh dhe fitimet e presidencës Halili do të ishin mjaft të. Nuk futemi të bëjmë llogaritje të hollësishme, gjithsesi është pak, por e sigurt se bardheblutë do fitonin të paktën gjysëm milioni euro nga këto tre ndeshje.
Ndërkohë një humbës i madh është edhe Partizani, pasi në derbin e fundit ata janë pritës dhe pritej të luhej në “Air Albania”. Është ndeshja më e bukur e kampionatit shqiptar dhe pritej një stadium me rreth 18-19 mijë veta brenda.