Partizani rikthehet të luajë në “Air Albania” dhe mposht Laçin me rezultatin minimal 1-0, duke marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe duke u rikthyer plotësisht në garë për një vend në Kupat e Europës.
“Të kuqtë” vinin pas dy fitoresh ndaj Luftëtarit e Flamurtarit, që kishin rikthyer disi qetësinë në ekip, ndërsa sot, ndonëse përballeshin me një kundërshtar direkt për zonën europiane të renditjes, e nisën mjaft mirë takimin.
Pasa disa aksioneve radhazi, ishte sulmuesi shkodran Eraldo Çinari që në minutën e 10’ iu vodh bukur mbrojtjes kurbinase dhe i vetëm me portierin Stajilla, tregohet i saktë, duke shtyrë topin në rrjetë dhe duke u dhënë avantazhin të tijve.
Kaq mjaftoi që “të kuqtë” të fitonin qetësi dhe të menaxhonin më mirë lojën, ndërsa skuadra e Laçit provoi disa herë të gjejë golin e barazimit, por herë për pasaktësi të sulmuesve e herë për meritë të Alban Hoxhës, nuk arriti të konkretizojë me gol.
Vërshëllima finale e arbitrit kryesor të takimit la në fuqi fitoren 1-0 për Partizanin, që tani ngjitet në kuotën e 47 pikëve, vetëm dy pikë larg Laçit, që momentalisht mban vendin e tretë të renditjes.