Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota. Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga vizitorët “e veçantë” të qytetit të “një mbi një dritareve”, të cilët veç qytetit kanë zgjedhur të vizitojnë edhe Parkun Kombëtar të Tomorit.“Mirëmëngjes dhe me këtë shëtitje të veçantë të djemve motoristë në Berat, ju uroj një të diel të mbarë”, tha Rama. Veç vlerave historike, arkitektonike dhe kulturore që e bëjnë Beratin një ndër qytetet më unike në Shqipëri dhe në botë, një tjetër atraksion turistik është edhe mali i Tomorit.
Ai shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij, tepër të vizituara sidomos gjatë stinës së verës. Në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës.Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar.