Presidenti amerikan, Donald Trump tha se nuk do të aprovojë mbajtjen me detyrim të maskave në kuadër të masave kundër koronavirusit për qytetarët amerikanë. “Unë nuk e besoj këtë. Nuk do ta aprovoj domosdoshmërinë e mbajtjes së maskës në gjithë vendin”, ka thënë Trump në një program në Fox News i cili do të publikohet të dielën, raportoi The Hill.
Duke deklaruar se ai dëshiron që njerëzit të kenë një liri të caktuar, Trump ka përmendur edhe deklaratat e zyrtarëve të shëndetit publik që fillimisht kishin thënë se individët e shëndetshëm nuk kanë nevojë të mbajnë maskë. I pyetur nga prezantuesi i programit rreth një deklarate të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) se pandemia mund të vihet nën kontroll brenda 4-6 javësh nëse çdokush mban maska, Trump tha: “Unë nuk pajtohem me këtë deklaratë”.