Nuk kanë të mbaruar ska ndalet e ma shtrimit të 24-veçares, Ilda Kërkapit, mbesës së ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Së fundmi “Shqiptarja.com” mëson dhe dy raste të tjera ku Ilda Kërkapi, ka mashtruar dy vajza, njëra me arsim psikologe, kunata me njëra-tjetrën, duke i marrë atyre një shifër prej 12 mijë euro dhe 5 litra raki rushi, në këmbim të punësimit të tyre, pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Momentalisht Kërkapi për këtë rast mashtrimi është marrë e pandehur dhe ndodhet në proces gjykimi në gjykatën e Tiranës. 24-vjeçarja, që në muajin Maj 2020 i shpëtoi arrestimit nga policia e Tiranës, për shkak se kishte një fëmijë dy muajshe, është përfshirë në shumë mashtrime financiare, duke gënjyer njerëzit se kundrejt shumave financiare, do i punësonte në institucioneve të ndryshme. Kjo skemë është përdorur në shumë raste, ku së fundmi zbulohet se Kërkapi ka mashtruar dhe dy vajza të cilat kanë pasur më parë njohje me Kërkapin.

Rasti në fjalë i mashtrimit me 12 mijë euro dhe 5 litra raki rushi, është pikasur fillimisht nga kryetari i Kontrollit të Lartë i Shtetit, Bujar Leskaj, i cili ka vendosur të denoncojë në prokurori fenomenin e mashtrimit që përdorte mbesa e ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Leskaj është njoftuar me mesazh nga dy kunatat A.N dhe D.I, të cilat pretendonin se ishin mashtruar nga Ilda Kërkapi. Këto shtetase menjëherë janë lajmëruar dhe kanë marrë takim me përgjegjësin e Sektorit të Etikës në KLSH, I.N dhe me Sekretaren e Përgjithshme të këtij institucioni L.N. Dy vajzat e dëmtuara u kanë treguar zyrtarëve të KLSH-së se para disa kohësh janë takuar me Ilda Kërkapin, e cila u është prezantuar si punonjëse e KLSH-së. Kërkapi, u ka pohuar A.N dhe D.I se kishte njohje me kryetarin e KLSH-së, Bujar Leskaj, me drejtor i Departamentit të Performancës A.H, me Sekretaren e Përgjithshme të KLSH-së, me kancelaren si dhe me Drejtorin e Buxhetit. Të dyja vajzat u kanë treguar zyrtarëve se kanë paguar secila nga 6 mijë euro për të filluar punë në KLSH dhe asnjëra prej tyre nuk ka filluar. Që në momentin e diskutimit me dy zyrtarët e KLSH-së, të dyja vajzat e kanë kuptuar se ishin mashtruar nga Ilda Kërkapi, kjo pasi aty kanë mësuar se Kërkapi ishte një studente që bënte praktikën në KLSH, ku herë pas here hynte dhe dilte në institucion, por nuk kishte asnjë rol minimal për të punësuar njerëz.

Gjithashtu në këtë takim dy vajzat e mashtruara,kanë mësuar se KLSH-ja,nuk kishte as kancelare dhe as drejtori buxheti. Sasinë e parave prej 12 mijë euro dhe shishen e rakisë prej 5 litra, Kërkapi ka pretenduar se do ja jepte zyrtarit të KLSH, A.H. Hetimi i kryer nga policia dhe prokuroria e Tiranës, ka faktuar se këstin e parë Kërkapi e ka marrë në muajin mars 2018, ku ishte një shumë prej 1 mijë euro si edhe 5 litra raki dhe është futur në institucionin e KLSH-së. Nga verifikimet e bëra në KLSH ka rezultuar se në muajin mars të vitit 2017, Ilda Kërkapi, është prezantuar si studente praktikante në ambientet e KLSH-së dhe ka pasur takim me drejtorin e Auditit të Brendshëm A.H, por gjithsesi ajo nuk e ka ushtruar praktikën në këtë institucion.

Nga dëshmitë e D. I dhe A. N, rezulton se janë kontaktuar nga Ilda Kerkapi duke i thënë D.I se mund ta ndihmonte të punësohej në institucionin ku ajo punonte, sipas saj në KLSH. Ajo i ka thënë se në muajin janar të vitit 2018 do të shpalleshin vende vakante pune dhe duke qenë se Ilda Kërkapi, kishte njohje në institucion, do të mundësonte punësimin e saj.

Pas disa javësh, duke biseduar përsëri me D.I., i kishte thënë se kishte edhe kunatën, A.N, pa punë dhe Ilda i ka thënë se do ta ndihmonte edhe atë që të fillonte punë pranë KLSH-së. Të gjitha këto do të arriheshin përmes një shpërblimi monetar, ku fillimisht i ka kërkuar shumën prej 3 500 euro për secilën dhe më pas, kjo shifër arriti në vlerën 6 000 euro për secilën. Ilda pretendonte se këto para do t’ia jepte shtetasit A.H, i punësuar pranë KLSH-së, me funksionin e drejtorit të Auditit të Brendshëm. Ato kanë bërë gati dokumentacionin që u ka kërkuar e pandehura, së bashku me shumën, dhe ia kanë dorëzuar në periudhën dhjetor 2017 – janar 2018. Fillimisht D.I ka paguar shumën prej 3500 euro në muajin dhjetor 2017 dhe më pas, në muajin janar 2018 kanë paguar shumën e mbetur për të dyja, konkretisht 8 500 euro. Shumën e parë e kanë dorëzuar në ambientet e një lokali pranë Gjykatës Civile të Tiranës, ndërsa shumën e dytë ia kanë dorëzuar Ilda Kërkapit, në një lokal pranë lagjes ku banojnë.

Ilda Kërkapi, i mashtronte se do të fillonin punë në 5 shkurt 2018. Pasi kaloi kjo datë dhe nuk filluan punë, Ilda i ka takuar dhe u thotë që do të fillojnë në datën 15 shkurt 2018. Pas kësaj, ajo filloi t’i gënjente vazhdimisht për afatin, deri në muajin maj të vitit 2018. Gjatë kësaj kohe ato filluan të dyshonin se ishin mashtruar dhe pasi kanë siguruar numrin e kryetarit të KLSH-së i dërguan një mesazh, ku i kërkuan një takim për të sqaruar këtë situatë dhe të verifikonin nëse Ilda Kerkapi, ishte e punësuar apo jo pranë këtij institucioni. Pasi zbuluan mashtrimin e Kërkapit, D.I dhe A.N, iu drejtuan familjes së të fejuarit të Ilda Kërkapit, të cilët nuk kishin dijeni për këtë veprim të kryer nga Ilda dhe morën përgjegjësinë për veprimet e kryera nga kjo e fundit, duke iu kthyer ata personalisht të gjithë shumën debitore, konkretisht 12 000 euro.

Gjatë fazës së hetimit Ilda Kërkapi, ka pranuar faktin që ka mashtruar D.I. dhe A.N, duke i gënjyer që do t’i ndihmonte të punësoheshin pranë KLSH-së dhe duke përvetësuar shumën prej 12 000 euro. Ajo nuk ka pasur asnjë kontakt dhe nuk ka bërë asnjë bisedë me A.H, për sa më sipër dhe shumën e përvetësuar e ka mbajtur vetë. (Shqiptarja.com)