Vendet e punës dhe rrethet familjare janë vatrat kryesore të përhapjes së Covid-19. Përgjegjësja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino thotë se deri tani zyrat e shtetit dhe ato private kanë përhapur më shumë infeksionin. “Janë marrë kryesisht në vendet e punës apo në vatrat familjare, apo në shtëpi. Qoftë në zyrat e shtetit apo në kompani private duhet të ketë, të zbatojë protokollin. Atje ku është ruajtur distanca dhe është mbajtur maska nuk kemi gjetur transmetim. Ne kemi vënë re që në qoftë se janë ruajtur, mund të përmend raste të cilat kanë qenë në floktore dhe ku është ruajtur maska, ne nuk kemi gjetur asnjë pozitiv”.
Televizioni Klan ka sjellë vazhdimisht vëzhgime, të cilat tregojnë se në disa institucione shtetërore neglizhohet përdorimi maskës. “Është i dukshëm transmetimi komunitar kryesisht në Tiranë, shumë më pak në të gjitha rrethet e tjera, por hetimi epidemiologjik duhet të kryhet gjithnjë. Pavarësisht se mund të kemi vatra të vogla familjare dhe transmetime në komunitete, ti duke kryer hetimin evidenton lidhjet midis tyre dhe përpiqesh të ndalosh sa më shumë. Ky është një element i cili duhet përforcuar”.
Në Tiranë situata është jashtë kontrollit për shkak të transmetimit komunitar. Bino thotë se duhet të intensifikohet hetimi epidemiologjik. “Duke pasur parasysh transmetueshmërinë e këtij virusi, ne vëmë re që kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se sa mendohej në fillim, pra në qoftë se flasim për Shkurtin. Nuk kemi të dhëna për ndryshime genetike apo mutacione që ta bëjnë virusin më të rrezikshëm apo më të rëndë”. Specialistët thonë se virusi mbetet shumë ngjitës dhe infektues. Të dhënat tregojnë se ditët e fundit numri i të infektuarve është në rritje, sikundër ai i viktimave dhe i të shtruarve në spitalet e posaçme Covid.