Me ujin e kristaltë dhe plazhet mahnitëse bregdeti i Vlorës ka mirëpritur gjatë kësaj fundjave pushues të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit ku nuk kanë munguar dhe më besnikët e turizmit tonë, shqiptarët nga Kosova. Gjatë pasdites së sotme përgjatë bregdetit të Vlorës shihet një fluks i madh pushesish të cilët po rikthehen në qytetet e tyre pasi kanë kaluar një fundjavë në brigjet dhe plazhet mahnitëse që ky vend ofron. Të shumta janë dhe makinat e shqiptarëve të Kosovës që tashmë e kanë kthyer Vlorën në vendin e tyre të preferuar për fundjavat verore.
Në axhendën e qëndrimit të vizitorëve të shumtë gjatë kësaj fundjave që vizituan Vlorën, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike dhe kulturore, si Zvërneci, Kanina, etj, ndërsa nuk mungon as Llogoraja, si dhe plazhet e shumta që shtrihen përgjatë vijës bregdetare. Me një transformim rrënjësor vitet e fundit falë projektit të Rilindjes Urbane tashmë Vlora është tashmë destinacioni i preferuar për pushuesit e të gjitha grupmoshave.