Bregdeti shqiptar së shpejti do të jetë destinacion rajonal konkurrues në Mesdhe dhe kësaj i shërben edhe nisma më e fundit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për krijimin e atraksioneve nënujore. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh sot se “zhvillimi i aktiviteteve turistike në det rrit ofertën dhe vlerën ekonomike të industrisë së turizmit”.
“Tashmë aktivitetet e turizmit detar janë të shënuara në hartën e miratuar nga KKT. 60 zona, ku secila ka pasaportën e detajuar për lundrim, zhytje, peshkim, destinacione nënujore apo aktiviteteve të tjera ujore”, tha Klosi. Klosi u shpreh se “anijet nën ujë janë një atraksion i ri për të apasionuarit e sporteve nënujore.
“Krijuam një atraksion nënujor, ku një nga 6 anijet jofunksionale të Forcës Detare, përmes një procesi të koordinuar me Ministrinë e Mbrojtjes u fundos në ujërat e Dhërmiut për t’u shndërruar në vend eksplorimi për të apasionuarit e zhytjes”, tha ai.