Vitet e fundit agroturizmi është kthyer në një destinacion turistik për njerëzit që e duan kulinarinë, udhëtimet dhe freskinë që të dhuron fshati.

Me një histori të gjatë prej 6 brezash, Agroturizëm “Gjepali” ndodhet në luginën Erzen, është afër Durrësit vetëm 12 km, 30 km nga qendra e Tiranës dhe 2.5 km nga qyteti i Shijakut.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga agroturizëm “Gjepali” ndërsa thekson se “agroturizmi një risi dhe mundësi e mirë për rivitalizimin e zonave rurale, alternativë dhe vlerë e shtuar e destinacioneve turistike, ambient i ngrohtë me një kulinari tipike shqiptare, shije dhe eksperiencë shqip”.

Kuzhinieri i njohur shqiptar, Fundim Gjepali, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, shprehet se “gjithmonë kam menduar se një kuzhinë e mirë pa një bujqësi të mirë nuk realizohet dot. Mendova për vendin ideal për ta realizuar këtë dhe atë e gjeta tek toka e familjes time ku më në fund realizova ëndrrën time të hapja agroturizimin, hotelin dhe pjesën e restorantit”.

“Ferma po rritet çdo ditë tani mungoni vetëm ju që të vini të provoni kuzhinën tonë ne e kemi bërë me shumë dashuri”, – tha Gjepali.

Ky agroturizëm ju kthen pas në kohë me gatimet tradicionale vendase dhe ju sjell në realitet me pjatat e “botës moderne” të realizuara mjeshtërisht nga shefi i kuzhinës, Gjepali.

Ky vend ka qenë një ndër fermat më të mëdha dhe më të famshme të Shqipërisë së Mesme. Më pas, për shkak të rrjedhës që mori vendi dhe mënyrës së qeverisjes ferma u shpërbë. Pas viteve ’90, familja Gjepali filloi përpjekjet për të rindërtuar atë “parajsë” që dikur e kishin të bukur dhe plot jetë.