Premtimi publik i Ali Ahmetit për të pasur për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Shkup, e i mbështetur më pas nga i gjithë spektri politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duket se nuk do të mbahet. Gjasat janë që Qeveria e re të jetë një ripërtëritje e koalicionit të shkuar; LSDM e Zoran Zaev dhe Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit. Dy partitë kanë zhvilluar negociata intensive përgjatë fundjavës dhe ditën e hënë në nivel Sekretarësh të Përgjithshëm të partive, ndërsa këtë të martë pritet një takim mes vetë Zaev dhe Ahmetit. Të dyja palët thonë se është bërë përparim në këto bisedime dhe janë zgjidhur thuajse të gjitha çështjet që pengonin marrëveshjen për koalicionin e ri. Mes këtyre pengesave ishte edhe premtimi parazgjedhor i Ali Ahmetit për të pasur një Kryeministër shqiptar pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Por, pas daljes së rezultatit, ku mes shqiptarëve BDI u rendit forcë e parë, Ahmeti është tërhequr nga ky qëndrim. Vetë BDI akuzon dy partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa se kanë dobësuar pozitat e shqiptarëve në bisedimet për Qeverinë e re. Sipas BDI, të dyja këto parti kanë hyrë në bisedime të fshehta me LSDM dhe VMRO duke dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.