Vizitorë të shumtë kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta duke shijuar ajrin e pastër që ofron pylli me pisha si dhe peizazhin mahnitës e relaksues. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura bëjnë me dije se numri i turistëve dhe vizitorëve po rriten çdo ditë e më shumë, veçanërisht gjatë fundjavave.

“Si gjithmonë, edhe kjo fundjavë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta pati vizitorë të shumtë me dëshirën për t’u njohur me vlerat e parkut, për të kaluar një fundjavë në ajrin e pastër që ofron pisha , për të realizuar një foto me Xhonin dhe Vlashin, për të eksploruar parkun nëpër shtigjeve që ai disponon. Por pa lënë jashtë vëmendjes edhe monitorimin, ku punonjësit e këtij sektori janë gjithmonë në terren duke mos lënë vend për abuzime. Sigurisht vazhdon grafiku i vrojtimit për zjarre. Këshillojmë vizitorët që të kenë kujdes gjatë lëvizjes në park. Mos ndizni zjarr në Park, mos hidhni mbeturina në park”, informojnë ekspertët. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, 90 km larg nga Tirana, është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë. Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar. Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në malin e Tomorit. Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur. Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë tërhequr vëmendjen e medieve botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park. Tashmë në ishullin e Pelikanit në këtë park ka një sistem vrojtimi video 24/7 që ka për qëllim vrojtimin dhe njohjen me folezimin e pelikanëve si një nga speciet më të veçanta të parkut.

Ky sistem vrojtimi është i aksesueshëm nga vizitorët dhe turistët e parkut nëpërmjet një ekrani që gjendet tek qendra e vizitorëve. Qëllimi është të informoj turistët mbi rëndësinë e pelikanit. Jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, Divjaka ka një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit.