Ministria e Shëndetësisë është në proces të licencimit të institucioneve private shëndetësore për kryerjen e testeve për COVID-19. Ministri Armend Zemaj ka bërë të ditur se nga 57 institucione të licencuara deri më tani, shumica prej tyre kanë filluar me testime serologjike, derisa dy institucione kanë marrë të drejtën edhe për testime molekulare apo PCR. Ai në mbledhjen e Komitetit për Menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka thënë se disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria në funksion të menaxhimit dhe mbajtjes nën kontroll të gjendjes së COVID-19 kanë filluar të japin efektet e para.
“Ne duhet të vazhdojmë duke e shtuar dinamikën, me qëllim që masat në fuqi të mbahen e zbatohen edhe si rezultat numri të prekurve nga infeksioni të bie. Kapacitetet spitalore janë shtuar dhe është rritur edhe numri i profesionistëve shëndetësorë për të ndihmuar kolegët e tyre, të cilët disa nga ta janë prekur nga infeksioni”, ka thënë Zemaj.
Me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës me pandemi, ministri Zemaj ka rekomanduar disa masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19. “Ndër të tjera masat e vendosura të jenë të krahasueshme me vendet tjera, qendrat tregtare ushqimore dhe jo ushqimore të obligohen që të kenë një punonjës i cili nuk lejon hyrjen brenda të konsumatorëve pa maska, në qendrat tregtare ushqimore mos të lejohet hyrja e konsumatorëve pa karrocë të blerjes (sepse ajo vetë e krijon distancën mes personave sa janë në market), lokalet e gastronomisë të jenë të obliguara qe një numër të tavolinave t’i kufizojnë për mos lejim për shërbim”, ka thënë Zemaj.