14 ndeshje të luajtura, 12 fitore, një humbje të vetme dhe 19 gola të shënuar në 1/8-at e finaleve të Champions League. Kjo fazë e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube është territori i Lioneal Messi-t: 12 kualifikime në 12 edicionet e fundit për Barçën (e eliminuar vetëm një herë nga Liverpool-i në sezonin 2006-07) dhe vetëm një ndeshje pa gol për argjentinasin në 11 ndeshjet e fundit të luajtura në Camp Nou. Nuk ka asgjë për të bërë, Pleshti është i papërmbajtshëm pas fazës me grupe dhe në stadiumin e tij dhuron paraqitje të jashtëzakonshme si ajo e vitit të kaluar: dygolësh në fitoren 5-1 kundër Lyon-it.
Dygolësh si në vitin paraardhës në fitoren 3-0 kundër Chelsea-t, ndërsa në sezonin paraardhës është mjaftuar me vetëm një gol, me penallti, në fitoren 6-1 të bujshme kundër PSG-së. Para gjashtë herë fituesit të Topit të Artë kanë rënë edhe Arsenal (dy herë), Bayer Leverkusen (i fundosur me një “manita” në një mbrëmje historike), Manchester City dhe Milan. Tifozët e Napoli-t dridhen, por skuadra e Gattuso-s do ta nisë ndeshjen e kthimit të 1/8-ave duke u bazuar te paraqitja e mirë e bërë në ndeshjen e San Paolo-s (1-1) dhe këtë herë Barcelona dhe Leo Messi nuk do të kenë mbështetjen e zjarrtë të 100 mijë tifozëve të Camp Nou.