Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj konsideron se Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Uashington. Sipas tij, me njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan lidership botëror dhe siç ka shkruar ai, konfirmuan interesin strategjik për paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon.Ndër të tjera, Haradinaj në Facebook ka shkruar se pritjet e Kosovës janë që edhe BE të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, për të lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj. E po ashtu edhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Lexoni shkrimin e plotë: Qytetarë të dashur, Kosova hodhi një hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington. Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon. Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran. Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim. I juaji, Ramush Haradinaj