Dy ditë më parë Kosova dhe Serbia arritën të nënshkruanin një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin ekonomik. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Po ashtu, i pranishëm ishte dhe presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili e cilësoi historike këtë marrëveshje.

Por, në pamjet e publikuara nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua marrëdhënia ekonomike Kosovë-Serbi, vërehet një moment i pakëndshëm për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Ky moment sipas mediave ka ndodhur pas momentit kur Trump tha se Serbia do ta zhvendosë Ambasadën e saj në Jerusalem, duke shtuar se kjo është pikë e marrëveshjes. Vuçiç habitet dhe drejtohet nga këshilltarët e tij, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka pasur dijeni për këtë pikë të marrëveshjes të nënshkruar. Më pas nis shfletimin e marrëveshjes për të lexuar më tepër.