Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare Shaqe Mazreku është drejt përfundimit dhe shumë shpejt, brenda 26 nëntorit, 450 nxënës do të ndjekin mësimin tek mjediset e reja të strukturës arsimore që u dëmtua në mënyrë të pariparueshme vitin e shkuar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Agjencia Telegrafike Shqiptare vëzhgoi nga afër punimet në shkollën e pozicionuar në qendër të Durrësit ku dhjetëra punonjës janë të angazhuar në vendosjen e dritareve, sistemit elektrik dhe hidraulik dhe atij të mbrojtjes termike. Vendosja e pllakave ishte një proces tjetër që po përfundohej. Banorët thanë se në këtë shkollë punohet me tre turne. Shkolla e re që është bërë këtu është bërë një shkollë moderne dhe me cilësi mjaft të lartë. Shkollë e mrekullueshme e zgjeruar dy herë sa ishte. Është bërë një shkollë e klasit të lartë,- tha një banor për ATSH. Këta kanë punuar shumë shpejt, iu lumshin krahët. Kanë ecur sa s’bën vaki. Ju lumshin duart punëtorëve që kanë punuar natë e ditë,- u shpreh një banor tjetër. Po shumë ide e mirë. Kam dëgjuar që punojnë 24 orë dhe natën,- u shpreh një djalosh. Po shumë lajm i mirë është,- tha një banore. Shumë mirë! i lumshin duart Edi Ramës. E kanë bërë shumë shpejt dhe më kanë thënë që brenda është shumë shumë e mirë,- nënvizoi një banore tjetër.

Andi Ajdini, inxhinieri i zbatimit tha se objekti zhvillohet në të katërta katet. Ka 24 klasa he 4 laboratorë. Kapaciteti i shkollës diku tek 450 nxënës. Pjesa e parë duke patur parasysh që s’ka oborr, shërben si holl. Në qendër të objektit kemi një atrium i cili merr ndriçim që nga sipër. Shkolla është me të gjitha standardet termike me sistem kapot. Klasat janë me ngrohje, me kaldajë. Objekti ka dhe ashensor për lëvizjen e personelit, përfundoi ai.