Pas akuzave të kreut demokrat Lulzim Basha nga Fieri një ditë më parë, sipas të cilit qeveria ka braktisur fermerin shqiptar, ka reaguar kryeministri Rama duke zbuluar përmes një videoje jo vetëm shifrat e rritjes së financimeve në bujqësi, por edhe një tjetër rast mashtrimi të Bashës.

“MIRËMËNGJES dhe me pasagjerin e këndshëm VIP të trenit të vjetër të opozitës, si edhe pasqyrën e vetëm disa fakteve mes të djeshmes e të sotmes në Shqipërinë bujqësore, ju uroj një shikim e fundjavë të këndshme”, shkroi Rama në facebook.

Dje Basha u shfaq në thertoren “AB GERSA” në Fier, që sipas tij nuk kishte marrë asnjë financim nga qeveria. Por në fakt rezulton komplet e kundërta.

Në videon e publikuar mëngjesin e sotëm nga Rama zbulohen faturat e pagesave që “AB Gersa” ka marrë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në vitin 2014, për makineri dhe pajisje thertoreje në shumën 36,397, 968 lekë.

Rama zbulon në video edhe shifrat e krahasimit të financimit për bujqësinë mes qeverisë demokrate ku Basha ishte ministër dhe qeverisë së sotme.

Kështu, masat direkte të financimit në vitin 2012 shkonin vetëm në 5.5 milion euro për fermerin shqiptar, ndërsa në vitin 2020 janë plot 9.1 milion euro. Rritja është jo pak, por 165 % më shumë.

Për të vijuar me investimet në pika grumbullimi përmes AZHBR, në vitet 2008-2012 ishin zero. Ndërsa në vitet 2014-2020, janë 123 agropërpunues përfitues të financimeve me shumën totale prej 20.8 milion euro.

Vetëm në qarkun Fier, në vitet 2008-2012, investimet në pika grumbullimi ishin zero, në vitet 2014-2020 janë 31 përfitues me një shumë prej 7 milionë eurosh.

Lidhur me investimet në thertore, gjatë qeverisë së demokratit Basha, vitet 2008-2012, investimet ishin zero. Gjatë qeverisë Rama, janë 41 subjekte përfituese me një shumë totale të financimit 41 milionë euro.

Për thertoret në Fier, gjatë qeverisë demokrate pati zero investime, gjatë qeverisë Rama janë 4 investime të financuara me vlerë totale prej 2.2 milionë eurosh.

Vetëm në vitin 2020, deri sot, janë dhënë si mbështetje direkte për 754 fermerë të Fierit, aty ku Basha flet për braktisje, plot 860.000 euro financime.