Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se prej ditës së nesërme 11 nëntor hyjnë në fuqi masat e reja të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e COVID19. Ministrja Manastirliu deklaroi se nga dita e nesërme hyjnë në fuqi urdhrat për ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00- 06:00, për një periudhë 3 javore si masa për frenimin e përhapjes së virusit SARSCOV2. Spias urdhrit të firmosur përjashtim nga kufizimet bëjnë personat që do të lëvizin për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.
“Do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, deri në datën 02.12.2020. Përjashtim nga ky rregull urdhëri bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Duke filluar nga data 11 Nëntori, baret restorantet, fast food, lokale që ofrojnë shërbim për klientët nuk do të shërbejnë nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, përvec shërbimit në banesë, deri më datë 2 Dhjetor”, tha Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi se administrate do të punojë nga shtëpia për tre javë dhe për personat që do të duan të lëvizin pas orës 22:00 do të duhet të pajisen me një leje nga E-albania. “Personeli i shëndetësisë, punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike, përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve”, tha Manastirliu.