Sipas CNN, Donald Trump duket se është fiksuar me skenarë jo shumë realë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe në takimet e ditëve të fundit, me një grup këshilltarësh të jashtëm të shtëpisë së bardhë, ka hedhur edhe hipotezën e refuzimit për të dalë nga pallati presidencial, në ditën e betimit të Joe Biden, më 20 janar. Pjesa më e madhe e këshilltarëve zyrtarë, shkruan CNN janë të shqetësuar nga lëvizjet e ardhshme të tij.

“Ka disa skenarë vërtetë të frikshëm”, ka pohuar një funksionar i administratës duke përsëritur se Trump, me mbështetjen e disa të zgjedhurve republikanë, është i vendosur të shkaktojë kaos në kongres më 6 janar, kur duhet të numërohen zyrtarisht votat e zgjedhësve të mëdhenj që ia kanë dhënë fitoren Bidenit. Përgjatë gjithë fundjavës, presidenti në largim ka pritur në zyrën ovale ose biseduar në telefon me personazhe si avokatja konspiracioniste Sidney Powell, ish këshilltari i tij për sigurinë kombëtare Michael Flynn, ish strategu i tij politik Steve Bannon etj. Ndërkohë që nuk mungon asnjëherë Rudy Giuliani.