Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka nuk ka treguar nëse kreut të LVV-së, Albin Kurtit do t’i jepet mundësia për t’i hyrë garës për deputet, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Daka ka thënë se kjo do të vendoset pas pranimit të listave nga partitë politike.
“Unë do të privohem nga përgjigjja sepse në KQZ do të vendoset. Këtë do ta vendosim pasi ta kemi listën e kandidatëve për deputet dhe pasi ta verifikojmë nga Këshilli Gjyqësor se kush ka dënime dhe kush jo dhe vetëm pastaj do ta vendosim. Unë nuk i komentoj deklaratat e politikanëve, të asnjërit, jo vetëm të Glauk Konjufcës. Por gjithsesi se KQZ do ta zbatoj Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme”, ka thënë Daka në një intervistë për Top Channel.
Megjithëkëtë, ajo thotë se aktgjykimi është më se i qartë dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë.
“Për mua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mua di juriste është plotësisht i qartë, gjuha që është përdorë në këtë aktgjykim mund të kuptohet edhe nga ata që nuk janë juristë, për mua nuk ka asnjë dilemë. Natyrisht se dilemat e komunitetit jo juridik janë të kuptueshme sepse nuk kanë njohuri të mjaftueshme juridike, dhe konsideroj se analizat që bëhen nga jo profesionistët vetëm i shkaktojnë dëm qytetarëve të Kosovës”, shton Daka.
Në një intervistë për Top Channel ajo ka folur edhe për stafin shtesë që do të angazhohet për menaxhimin e procesit të votimit bazuar në këshillat shëndetësore dhe buxhetin në vlerë të 5.5 milionë eurove që është kërkuar nga Ministria e Financave.
Derisa për fushatën parazgjedhore që është caktuar nga 3 deri me 13 shkurt, ajo ka thënë se mbetet përgjegjësi e partive nëse do të mbajnë tubime apo do ta organizojnë online.
Zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit erdhën pas rrëzimit të Qeverisë nga aktgjykimi i Kushtetueses, e cila vlerësoi jo legjitim mandatin e ish-deputetit Etem Arifi i cili votoi në formimin e Qeverisë Hoti.
Top Channel