Tiranë, 8 Janar – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në facebook, bën me dije se 35,000 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes gjatë vitit 2020. “35,000 fëmijë që kanë ardhur në jetë në vendin tonë si dhe jashtë vendit, por të regjistruar në Shqipëri, kanë përfituar çekun e bebes gjatë vitit 2020”, shkruan Manastirliu.
Gjatë vitit që sapo lamë pas, 35,002 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes. Prej tyre, janë përfitues 22,866 fëmijë të lindur në spitale publike, 3,709 lindje në spitale private dhe 8,427 lindje jashtë vendit. Politika sociale e qeverisë e bonusit të bebes u jep familjeve të reja pa dallim, 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë. Ministrja Manastirliu thekson në postimin e saj në rrjetet sociale, se bonusi I bebes për çdo të porsalindur do të vijojë pa ndërprerje.