Falë mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria për njerëzit që punojnë tokën, që tanimë shtrihet edhe tek nafta pa taksa, fermerët shqiptarë konkurrojnë sot me fermerë të rajonit e më gjerë, teksa eksportojnë prodhimet e tyre në destinacionet kryesore europiane. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot Lushnjen, një nga zonat me potencialin më të madh të prodhimit bujqësor.

Fermerët e kësaj zone sot prodhojnë e fitojnë më shumë, duke u bërë dëshmi e shqiptarëve që kanë zgjedhur ta ndërtojnë me punë jetesën dhe suksesin, në këtë vend, tha Ekonomi. Ministrja Ekonomi, duke komentuar skemën më të fundit mbështetëse të qeverisë për fermerët atë të naftës pa taksa, tha se po të vëresh shifrat në këto ditë të para të çeljes së aplikimit vërehet se fermerët e kanë pritur me entuziazëm këtë skemë.

Janë 4 100 fermerë që kanë aplikuar në të gjithë territorin e vendit. I pari ishte një fermer nga Malësia e Madhe, i cili pagëzoi edhe sistemin. Aplikimet kanë vazhduar në të gjithë Shqipërinë. Një nga zyrat që ka shumë aplikime është edhe ajo e drejtorisë rajonale të Shqipërisë së Mesme me qendër në Lushnje. Fermerët po ndihmohen në çdo hap nga kreu i kësaj drejtorie gjatë aplikimit, tha ministrja.

Ekonomi vuri në dukje se aplikimi bëhet online dhe sipas saj, fermerët tashmë janë të mësuar me aplikimin online, pasi pandemia e bëri të detyrueshme aplikimin online edhe për skemat kombëtare dhe atë të IPARD-t. Po ashtu, theksoi ministrja vërehet një rritje e numrit të fermerëve të pajisur me NIPT, si kusht për të marrë pjesë në skemën e naftës pa taksa.

Në fillim të nisjes së aplikimeve ishin 47 mijë fermerë të pajisur me NIPT dhe vetëm në 10 ditët e para numri i fermerëve të pajisur me NIPT shkoi në 49 mijë, ndërsa ka kërkesa të vazhdueshme, tha ajo. Në Lushnje, ministrja Ekonomi u ndal në fermën e Elidon Gjatës, i cili ka nisur edhe prodhimin e fidanëve që i duhen atij për të përmirësuar cilësinë e prodhimit brenda fermës së tij.

Jemi në Lushnje afër fermës “Produkte natyrale” që drejtohet nga Elidon Gjata, i cili e ka nisur këtë biznes me pasion shumë të madh për të bërë diçka për zonën, ndërsa të bën përshtypje dëshira e tij për të mësuar si të prodhojë më mirë, tha Ekonomi.

Gjata thotë se ky është viti i 6 që merret me prodhimin e perimeve.

Kemi gati 6 muaj që po ashtu merremi me prodhimin e fidanëve. Bima do kujdes si një fëmijë, shprehet Gjata.

Për prodhimin e fidanëve të rinj, Gjata ka marrë një pajisje moderne, e cila kryen kryen të gjithë procesin, që nga mbushja e tavave për fidan e deri te stivimi i tavave dhe kalimit te dhoma e mbirjes.

Ky është një investim për të bërë të mundur prodhimin e një fidani sa më cilësor me standardet e kërkuara, që të kemi më pas edhe një prodhim sa më cilësor në mbjelljet e ardhshme, shprehet Gjata.

Ai tregon se kontratat e fundit që ka me eksportuesin janë në Çeki dhe Ukrainë, por edhe shtete të tjera. Ministrja tha se ky zhvillim tregon se është përmirësuar edhe zinxhiri i vlerës, pasi dikush prodhon, dikush grumbullon dhe të tjerë lidhin kontrata dhe këta duhet të japin produkte sipas karakteristikave që kërkon kontrata e lidhur fillimisht, duke ndjekur kështu edhe kërkesën që kërkon tregu europian.

Ata na sugjerojnë kultivarin se çfarë ne duhet të mbjellim dhe shitja është e garantuar, ashtu edhe si pagesa, shprehet Gjata.

Ministrja Ekonomi shpjegoi edhe skemën e naftës pa taksa. Për çdo 100 litra naftë që ka nevojë një kulturë bujqësore, 54 litra një fermer i merr falas. Ndaj dhe ne u bëjmë thirrje fermerëve për të aplikuar për skemën e naftës falas. Nafta është për ju që punoni, tha Ekonomi.

Gjata u shpreh se mbështetja që ka dhënë qeveria për bujqësinë dhe fermerët është për t’u përshëndetur. Si në rastin e pajisjes që unë kam blerë tani duke hequr TVSH prej 20% për makineritë e importuara, dhe ajo është një vlerë e konsiderueshme, nuk është pak, deklaroi fermeri.