Tiranë, 11 Janar – Sot ka nisuar vaksinimi i 50 mjekëve dhe infermierëvë të parë me vaksinën antiCovid.
Në një lidhje direkte në Top Channel, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria ka kapacitetet për të ruajtur vaksinën Pfizer-BioNTech në frigoriferët e Institutit të Shëndetit Publik, apo dhe në Depon e Barnave në QSUT.
“975 dozat Pfizer janë të sigurta, me çertifikatat përkatëse të sigurisë dhe të gjithë elementët që duhet të ketë një vaksinë. Dhe kanë ardhur përmes një zinxhiri ftohës me të gjithë elementët përkatës. Ato janë në strukturat tona në Institutin e Shëndetit Publik në frigorifërë -70 °C. Por edhe në depon e barnave në QSUT kemi frigoriferë -70 °C. Me kapacitetin aktual dhe me rrjetin ftohës që kemi në -70 °C sipas ekspertëve ne jemi në gjendje të kemi një kapacitet ftohës deri në 250 mijë doza”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se po punohet për të rritur akoma më shumë kapacitetet dhe se janë përgatitur për të gjithë skenarët dhe për të pranuar të gjitha llojet e vaksinave.
Sot në orën 15:00 filloi vaksinimi i 50 mjekëve të personlit shëndetësor të dy spitaleve Covid, ku e para që u vaksinua ishte Shefja e Infektivit, Najada Çomo dhe pas saj Kryeministri Edi Rama. Janë 975 doza vaksine Pfizer-BioNTech që janë dhuruar nga një vend i BE.