Nga Rudina Xhunga/
Kamala Harris është lajmi i bukur i botës që po vjen. Dje festova për të, edhe e bëra me gjithë bindjen time se kohët po ndryshojnë. Nxora pjatat e shekullit të kaluar, të gjyshes, mbusha një gotë verë dhe thashë me zë të lartë: “Gëzuar Kamala Harris, për ty në Shtëpinë e Bardhë dhe për të gjitha vajzat që ke bërë sot të ëndërrojnë!”Pastaj debatova me kë më rreshtoi arritjet ekonomike të Trump-it. Dhe çfarë pastaj, po pse vetëm të hanë duan njerëzit? Ai mbase u dha më shumë bukë amerikanëve, por atyre që ëndërrojnë Amerikën, çfarë u dha? Kjo është diferenca e 20 janarit, ditës së fundit të Trump-it me ditën e parë Biden-Harris.
Ata na bënë të ëndërrojmë përsëri, për Statujën e Lirisë, qoftë ajo dhe iluzion. Por Kamala Harris nuk është ëndërr, është realizim ëndrre, është shumë më shumë se Michelle Obama, që ishte gruaja e …, shumë më shumë se Hillary që ishte kandidate për… Kamala është fituese e një gare që i dha jetë sa hyri. Kamala është gruaja e lobeve, e mbështetur nga… e sjellë aty për…Ah sa do të dëgjojmë, por fakti është, që ajo është zëvendëspresidentja e parë zonjë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo vjen jo si manekinë, po si grua prej mishi e gjaku. Ndaj vajza të vogla me ëndrra të mëdha, mos u merrni me ngjyrën e kostumit të saj, mos u merrni me perlat e saj, ato janë një detaj.
Kamala i dha ngjyrë vitit që hap 10-vjeçarin dhe si nusja në traditën tonë që fal lulet që dasmat të vazhdojnë, ajo i fali perlat një tjetër vajze, që bota të vazhdojë t’u lejojë njerëzve t’ia dalin, që pavarësisht gjinisë e racës të kenë sukses. Kamala është lajmi më i bukur i 2021-shit. Ardhja e saj në Shtëpinë e Bardhë, përcakton jo vetëm këtë vit, por 10-vjeçarin ku po hyjmë. Vajzave që u kujtojnë se janë vajza dhe kaq munden, tani e kanë gati përgjigjen: Po Kamala pse mundi? Mundi sepse nuk u dorëzua kur ia kanë bërë këtë pyetje, ajo mundi sepse ishte gati për këtë ditë.
Gati nuk bëhesh duke pritur, por duke investuar në arsimimin dhe edukimin tënd. Nuk ka justifikim për kë nuk arsimohet dhe mbetet pa u azhornuar në një botë online si kjo sot, kur dhe në divan të jetosh një vit, nuk ka pse të mos kesh mësuar gjuhë të huaja, kodim, apo mos kesh marrë pjesë në debatemate me kinezë, indianë e anglezë, live nga ballkoni yt. Ndaj bëhu gati dhe mos u tërhiq kur të të thonë se kjo botë nuk të gjen punë se duhen miq e duhet të jesh burrë, apo të kesh burrë. Kur dëgjon këto justifikime kujto që vijnë nga vitet që lamë pas. 2021-shi është viti kur nga Shtëpia e Bardhë iku një modele dhe erdhi një grua model.